AGK-ja thirrje qeverisë të tërhiqet nga projektligji “për kontrollimin e mediave të shkruara”

13:29 | 1 Shkurt 2024
E.H

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme për media së bashku me Mediat e Shkruara të Kosovës, të cilët kanë kërkuar nga Qeveria Kurti që të tërheqin projektligjin i cili sipas tyre, po cilësohet si “kontrollim i mediave të shkruara”.

Projektligji i miratuar në Kuvend parasheh mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror, transmeton Arbresh.info.

“Ndryshimet ligjore, të cilat arsyetohen në emër të përafrimit të legjislacionit vendor me atë europian janë në kundërshtim me standardet e Këshillit të Europës (KiE) dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE)”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Ligji i ri po ashtu parasheh edhe gjobë deri në 40 mijë euro për mediat online.

Më poshtë mund të gjeni komunikatën e plotë të AGK-së:

1.Mediat online do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror dhe kontrollit nga KPM-ja;

2.Mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, do të detyrohen që të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licensimit;

3.Mediat online do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja;

4.Mediat online do të duhet të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10%;

5.Mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40,000 euro;

6.KPM-ja do t’i ketë 11 anëtarë dhe jo shtatë, siç i ka aktualisht;

7.Anëtarët e KPM-së nuk do të kenë më mandate të përshkallëzuara prej dy, tre dhe katër vjetësh, por mandat prej katër vjetësh me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

Ne konsiderojmë se iniciativa ligjore e Zyrës së Kryeministrit për të kontrolluar mediat online nëpërmjet licensimit është sulmi i radhës ndaj të drejtës së lirisë së medias dhe pluralizmit.

Aparati shtetëror do të përdoret lehtësisht kundër secilit medium online nën kërcënimin e gjobave të mëdha deri në 40,000 mijë euro, gjobë kjo që mund të arrijë të mbyllë secilin medium online që operon në Kosovë. Projektligji duhet të shihet si vazhdimësi e qasjes armiqësore të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj mediave dhe gazetarëve dhe
tentativës së saj të vazhdueshme për t’i disiplinuar ato.

Direktiva e rishikuar e Shërbimeve të Medias Audiovizuale (AVMS) me të cilën pritet të përafrohet legjislacioni për media në Kosovë, parasheh rregullimin e platformave për shpërndarjen e videove nga rregullatorët e mediave. Mirëpo, për qëllime të kësaj iniciative ligjore direktiva është interpretuar gabimisht, pa e marrë fare parasysh kontekstin lokal dhe duke injoruar trupin vetërregullativ ekzistues në Kosovë. Direktiva në asnjë formë nuk parasheh që shteti t’i vë mediat online nën kontroll nëpërmjet procesit të licencimit të detyrueshëm.

Në fakt, Direktiva e BE-së në nenin 4A inkurajon shtetet që të përdorin sistemin e vetërregullimit. Për këtë arsye, në Finlandë gjatë transpozimit të AVMS-së, qeveria dhe parlamenti atje pasi kishin marrë për bazë kontekstin lokal dhe duke u bazuar në nenin 4A të direktivës, ishin dakorduar që këtë kompetencë të vazhdonin t’ia linin këshillit të mediave (trupit vetërregullativ finlandez). Në Shqipëri, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias kishin kundërshtuar fuqishëm propozimet e njëjta ligjore që ishin bërë nga qeveria shqiptare e udhëhequr nga z. Edi Rama. Ndërsa Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) kërkon në mënyrë të qartë që regjistrimi i mediave online asesi të mos jetë procedurë e detyrueshme.

Një pasojë tjetër do të jetë dobësimi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) që përbëhet nga përfaqësues të mediave, përderisa do të fuqizohet një organ administrativ shtetëror si KPM-ja, anëtarët e të cilit zgjedhen nga partia në pushtet. Historikisht KPM-ja –me disa përjashtime – është përbërë nga persona që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë me udhëzime direkte ose indirekte nga politika apo sektori privat.

Qeveria, përtej mediave, tentativën për kontroll e ka shtrirë edhe tek vetë institucioni i KPMsë. Rritja e numrit të anëtarëve në 11 është e paarsyeshme dhe bazohet vetëm në dëshirën e partisë në pushtet që ky institucion të mbushet më mbështetës të saj. Kjo konfirmohet edhe me propozimin që secili anëtar të ketë mundësinë që të garojë për dy mandate, ashtu që ata që emërohen gjatë kësaj legjislature në Kuvend dhe vazhdojnë ta gëzojnë mbështetjen e partive në pushtet edhe në një tjetër legjislaturë, pra, mund të jenë pjesë e KPM-së për tetë vjet gjithsej.

Ne, po ashtu, shprehim indinjatën tonë me nivelin e lartë të mostransparencës gjatë kësaj iniciative legjislative. Draftligji është përgatitur me mungesë të thellë të transparencës dhe pa përfshirjen e gazetarëve, mediave, aktivistëve dhe organizatave tjera të shoqërisë civile.

Vetëm pas përfundimit të draftit të parë, ai është prezantuar para një grupi të kufizuar si akt i kryer. Kjo qasje është tërësisht jodemokratike, e papranueshme dhe zhgënjyese. Nuk mund të draftohet legjislacion për media pa përfshirjen e mirëfilltë të sektorit të mediave.

Ne i kemi ofruar Zyrës së Kryeministri dialog dhe mundësi bashkëpunimi për të përmirësuar draftligjin. Një vit më parë, në një takim me shefin e stafit të Kryeministrit z. Luan Dalipi dhe këshilltaren ligjore të Kryeministrit znj. Tea Blakaj, ata na kishin siguruar që projektligji nuk do të procedohej në atë mënyrë në Kuvend. Më pastaj ata kishin injoruar në tërësi kërkesat tona rreth informacioneve për projektligj.

Ndryshimet ligjore – të bëra në fomën siç janë tani – nuk do rezultojnë në përmirësimin e mediave, por në kontroll politik mbi mediat online, kontroll që do të ushtrohet nga cilado parti politike që do të gëzojë pushtet.

Ne kërkojmë nga Zyra e Kryministrit të tërheqë projektligjin nga Kuvendi i Kosovës dhe të bëjë ndryshimet e duhura në pajtim me standardet e KiE dhe OSBE-së. Ndryshimet ligjore duhet të bëhen me përfshirje të mirëfilltë të gazetarëve, organizatave joqeveritare dhe të gjithë të interesuarve. Njëkohësisht, shteti duhet të angazhohet për pavarësinë e plotë të KPM-së duke zgjedhur profesionistë të pavarur, e jo simpatizues të partisë në pushtet./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme