Google ADS

AGK e shqetësuar me qasjen e deputetit Veton Berisha ndaj gazetarit të Radio Kosovës

13:36 | 11 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj qasjes së deputetit të Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha që kishte marrë ndaj gazetarit të Radio Kosovës, Denis Galushi.

Galushi përmes një shkrimi autorial ka shkruar rreth komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Ky shkrim, sipas deputetit Berisha përmban shkelje andaj të hënën, me datën 09.12.2019, ka dorëzuar kallëzim penal në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Bazuar në publikimin e tij të datës 18.10.2019 me titull: “Artikulli “Roma + Ashkali + Egjiptian = ROMA” kemi konstatuar se ka kryer vepër penale duke nxitur përçarje dhe mosdurim si dhe duke mohuar identitetin Egjiptian dhe Ashkali ne konstatojmë se ka shkelur Kushtetutën , ligjet në fuqi dhe nenin 141 i KPK-së”, ka shkruar Berisha në rrjetin social Facebook.

AGK thekson se çdo politikan mund të ndjekë rrugë ligjore karshi çdo gazetari mirëpo nuk mund të konstatoj siç ka bërë deputeti Berisha, që gazetari me shkrimin e tij ka kryer vepër penale, ende pa e thënë këtë organet e drejtësisë. Për me tepër, deputeti në fjalë ka vlerësuar shkrimin gazetaresk si “shpifje, përgojim dhe tentim të përçarjes”, çka për AGK është e papranueshme.

AGK kërkon nga deputeti Berisha të ndal linçimin publik ndaj gazetarit Galushi, si dhe thekson se liria e fjalës është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, dhe gazetarët si bartës të saj nuk duhet të pengohen e të diktohen nga politika.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme