Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës (AIP) i ka rekomanduar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të që të mos e përdorë ngjyrën matrikuluese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Kjo agjenci nisi hetime në fund të gushtit rreth vendimit të KQZ-së që t’i shënjojë votuesit e ngjyrë të dukshme, apo matrikuluese, gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë, pasi Radio Evropa e Lirë e pyeti nëse përdorimi i kësaj ngjyre përbënte shkelje të privatësisë së votuesve. Kjo agjenci e pranoi interesimin e REL-it për këtë çështje si sinjalizim për të nisur shqyrtimin e përdorimit të ngjyrës matrikuluese.
“Lidhur me përdorimin e ngjyrës matrikuluese, ne kemi këshilluar KQZ-në se indirekt identifikon personin, veçanërisht kur merren parasysh rrethanat në komunitete të vogla, familje apo punë. Derisa, vet informacioni mbi të dhënat personale çon deri te baza për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke u bazuar në këto parime të ligjit dhe në kompetencat tona, Agjencia i ka rekomanduar KQZ-së që ngjyrën matrikuluese të mos e përdorë”, tha për Radion Evropa e Lirë më 11 shtator komisionarja për Informim dhe Privatësi e Kosovës, Krenare Sogojeva-Dermaku.
Agjencia për Informim dhe Privatësi i ka dërguar rekomandim me shkrim KQZ-së për këtë çështje, ku thuhet se me përdorimin e ngjyrës matrikuluese zbulohet fakti se një person ka votuar.
“Megjithatë, marrë parasysh faktorët shtesë, si njohja e këtij personi brenda rrethit familjar, në punë apo në komunitet, në rrethin ku jeton dhe vepron personi, ngjyra matrikuluese mundëson që personi të identifikohet me emër dhe përmes këtij identifikimi, indirekt të zbulohet informacioni se i njëjti ka votuar ose jo”.
Aty shtohet se shënjimi i gishtërinjve të votuesve me ngjyrë matrikuluese “në mënyrë të pavullnetshme bënë ekspozimin e të dhënave personale”.
“Rrjedhimisht, nga ky ekspozim zbulohen edhe veprime të identifikueshme të personit lidhur me aktivitetin e tij qytetar. Tutje, pavarësisht se ngjyrosja e gishtit me ngjyrë matrikuluese nuk përbën identifikim automatik, megjithatë krijon mundësinë për profilizim, pasi mund të përdoret për të nxjerrë përfundime mbi sjelljen e një personi të identifikueshëm që ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar ose jo”, thuhet në rekomandimin dërguar KQZ-së.
Komisionarja Sogojeva-Dermaku tha se ngjyrosja e gishtit të madh të dorës së majtë me ngjyrë matrikuluese nuk praktikohet në shtetet evropiane. Madje, ajo përmendin edhe rastin e Gjeorgjisë, kur Komisioni i Venecias kishte dhënë mendim për këtë çështje.
Ndërkaq, në shkresën dërguar KQZ-së, AIP tha se ngjyra matrikuluese përdoret në vende sikurse Afganistani, Algjeria, Egjipti, Kamboxhia, Nigeria, Iraku, Siria, Turqia, Venezuela e të tjera.
Me rregulloren e miratuar më 21 qershor të vitit 2024, KQZ-ja ka vendosur që, për herë të parë, në zgjedhjet e reja të përdoret kjo ngjyrë, e cila nuk largohet së paku 48 orë.
Në zgjedhjet e deritashme është përdorur sprej i padukshëm, i cili ka mundur të verifikohet vetëm me dritë ultravjollcë.
Në Kosovë, e drejta për të votuar është private.
Grupe të shoqërisë civile i thanë më herët se janë të shqetësuara se praktika e re, për të cilën vendosi KQZ-ja, mund t’i ekspozojë publikisht votuesit, duke çuar potencialisht në stigmatizimin e tyre.
Ndërkaq, nga KQZ-ja ende nuk janë deklaruar rreth rekomandimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi lidhur me ngjyrën matrikuluese.
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person