Google ADS

Agjencia e Forenzikës sfidohet me mungesë të materialit esencial të ADN-së

09:21 | 6 Shkurt 2021
L G

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri, thotë se po sfidohen seriozisht me mungesë të materialit esencial për kryerjen e analizave të AND-së.

Olluri ka njoftuar se gjatë pandemisë kjo Agjenci ka qenë në vështirësi të përmbushjes së obligimeve të saj, për shkak të reduktimit të stafit.

“Sfidë kemi edhe mungesën e materialeve për analizën e ADN-së. Kemi me qindra raste në pritje. Kontrata është realizuar por jemi në pritje të furnizimit me kimikate të ndryshme, apo materail esencial për kryerje të analizave të ADN-së. Rastet janë në paraburgim, janë pritje e ne ende nuk kemi furnizim që është brengosëse dhe shqetësuese. I kemi njoftuar të gjithë akterët tjerë si Këshillin Prokurorial, Gjyqësore, MPB-në. Nuk kemi një arsyetim nga kompania që është zgjedhur pasi që është shpallur tenderi. Këto ditë do të kalojë edhe afati i urdhërblerjës”, është shprehur ai për Ekonomia Online.

“Agjencia e Kosovës për Forenzikë si të gjitha institucionet tjera gjatë pandemisë ka pasur vështirësi dhe sfida në arritjen e objektivave dhe sfidave që ka të vendosura sipas legjislacionit dhe detyrat që ka. Ka qenë vit sfidues për shkak të pandemisë referuar vendimeve të Qeverisë që është dashur herë pas here të reduktojmë numrin e personelit. Të kalojmë në staf esencial për kryerjen e punës. Në anën tjetër kishim edhe kërkesat dhe urdhëresat e prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesisë dhe të gjitha agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit që është dashur ti përgjigjemi. Kemi qenë në vështirësi serioze në kryerjen e obligimeve dhe detyrave. Në njërën anë kemi reduktuar personelin kurse në anën tjetër është dashur të kryejmë obligimet. Konform manualit të ministrisë ne kemi ndarë orarin e punës në dy ndrrime që të kemi distancë mes personelit” ka thënë ai.

Tutje sipas Ollurit, sfidë gjithashtu është ndryshimi ligjor i statusi të zyrtarit kriminalist sipas të cilit parashihen ulje pagash, gjë kjo që do të ketë për pasojë humbjen e këtyre ekspertëve.

“Sfidë serioze ka qenë statusi i zyrtarit tonë, ekspertit kriminalist sepse me ndryshimet legjislative që janë bërë nga zyrtar me status të veçantë në zyrtar civil. Na ka dëmtuar sepse ne jemi shtyllë e rëndësishme e hetimeve policore. Kemi të bëjmë me zbardhje të veprave penale dhe këtu nuk bëhet punë adminstartive po duke aplikuar shkencat e ndryshme në zbatim të ligjit. Ligji për paga nuk ka kaluar mirëpo po të ishte në fuqi pasojat do të ishin të larta pasi do të i uleshin pagat eksperteve tanë dhe do të kishim humbjen e tyre”

Olluri gjithashtu ka thënë se nuk kanë pasur një numër të lartë të stafit të atakuar nga virusi Covid-19. Ku nga numri i përgjithshëm i punëtorëve sipas Ollurit janë prekur vetëm 15 për qind, kurse viktima nuk ka pasur.

“Nuk kemi pasur numër të lartë të të infektuarve. Statistikat zyrtare tregojnë se në agjenci me raste pozitive janë identifikuar 13 zyrtarë, 15 për qind, numri i të shëruarve është 12, një është aktiv. Kurse vdekje nuk kemi pasur si pasojë e Covidit”, ka theksuar ai.

Olluri më tej ka treguar se kjo Agjenci është akredituar me metoda dhe norma ndërkombëtare të cilat garantojnë cilësi dhe siguri të provave materiale.

“Agjencia e Kosovës për Forenzikë tanimë ka gjashtë vite. Kemi arritur standarde ndërkombëtare sa i përket cilësisë. Kemi bërë akreditimin në ISO17 025 për katër vite. Tani jemi në katër vjetorin e dytë, gati dy vite të riakredituar me metodat dhe normat ndërkombëtare, që garantojnë cilësi dhe rrisin sigurinë e provave materiale, rrit dokumentacionin dhe konfirmimin e rezultateve që është e krahasueshme me Evropë dhe ShBA. Këtë vit përkundër faktit që kemi edhe problemeve financiare për shkak të pandemisë kemi edhe shkurtim të buxhetit”.

“Ne sa i përket cilësisë dhe rritjes së efikasitetit të punës kemi paraparë të vazhdojmë me mbikëqyrjen e akreditimit dhe të ngrisim planet për akreditimin e disa laboratorëve. Agjencia numëron mbi 30 metoda shkencore të akredituara sipas normave ndërkombëtare dhe mund të themi që është ndër institucionet më kredibile dhe me integritet të lartë”, ka thënë ai.

Kryeshefi Olluri ka pohuar se kanë raste e kërkesa të shumta, por që Agjencia asnjëherë nuk ka dështuar të dal me kundërthënie për to.

“Fillimisht kemi qenë në kuadër të Policisë së Kosovës, shumicën e zyrtarëve rreth 70 për qind i kemi pasur me gardë policore. Në vitin 2011 është shkëputur nga policia dhe është shndërruar me ligj të veçantë në agjenci ekzekutive në kuadër të MPB-së. Krahasuar me vendet e rajonit themi me mburrje se qëndrojmë lartë, të krahasueshme me Kroacinë që kanë 100 vite që merren me këtë pjesën e kriminalistikës”.

“Nuk kemi raste që manifestohen me ndonjë kontest sa i përket çështjeve gjyqësore penale apo nuk kur kemi kontradikta në ekspertizë, kundërthënie. Në aspektin tjetër çdo ekspert në kuadër të Agjencisë për Forenzikë i nënshtrohet testit ndërkombëtar prefesional, rikualifikohet çdo vit, me test të zotësisë që dëshmon nivel të cilësisë dhe profesionalizimit. Raste e kërkesa ka shumë”, ka përfunduar Olluri.

Të ngjashme