“Nga politika ndoshta s’marr vesh shumë, nuk pretendoj se i njoh mirë qokat dhe dredhitë e saj, por e di, e shoh me sy dhe e preki me dorë realitetin në të cilin jetoj’ gjendjen katastrofike ekonomike, sociale, morale dhe politike nëpër të cilën po kalojmë si shoqëri. Për këta muaj prejse je bërë kryeministër, ashtu siç u bëre, me qykë të zorit, ke bërë gabime pa numër, disa prej të cilave mund të quhen lirisht skandale”, ka shkruar shkrimtari Agim Vinca në letrën e hapur drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj.
Vinca në këtë letër tregon përvojën e tij personale gjatë një takimi që e kishte aty për aty me kryeministrin Haradinaj në Panairin e Librit së fundmi në Prishtinë.
“U takuam në Panairin e Librit. Unë po hyja, ti dilje. Unë vetëm, i shoqëruar nga një ish-student imi, ti i rrethuar nga shpura jote prej këshilltarësh e bodigardësh. Nuk isha zatetur me ty kështu ballë për ballë nga koha kur u bëre kryeministër. Kur u ndale, mendova se dëshiron të më përshëndetësh, por isha mashtruar”, thuhet në letrën e hapur të Vincës.
“Agim – me the; as ‘profesor’, as ‘zoti Vinca’, por Agim, me emër, si t’i kishim ruajtur lopët bashkë – ti je mendje e ndritur, por kur të shkruash për politikë thellohu pak se nuk i merr vesh punët e politikës!”. Më erdhën gand këto fjalë, më goditën si rrufe nga qielli i kaltër, si thuhet. Shihej se ishe zemëruar me mua dhe se mezi kishe pritur rastin të më shfaqje zemërimin, madje pa e zgjedhur kohën as vendin”, vazhdon rrëfimin shkrimtari Vinca.
Ndër tjera, në këtë letër të hapur, Vinca beson se kryeministri të jetë prekur nga një intervistë dhënë për mediet në Kosovë, në të cilën e ka kritikuar punën e Qeverisë së Haradinajt. Mbase të njëjtën gjë thotë ta ketë bërë edhe për paraardhësit e tij, aty ku ka pasur vend për kritikë.
“Për këta muaj prejse je bërë kryeministër, ashtu siç u bëre, me qykë të zorit, ke bërë gabime pa numër, disa prej të cilave mund të quhen lirisht skandale”, ka shkruar Vinca në letrën e hapur, të cilën e ka botuar Koha Ditore.
Ndër skandalet që Vinca ia ka përmendur kryeministrit Haradinaj është rritja e pagës me arsyetimin qesharak “duhet me ble këmisha e kravata” dhe “për mos me vjedhë!”.
Vinca thotë se ka pritur nga Haradinaj të jetë njeri popullor dhe ta ulë pagën e tij, qoftë edhe në mënyrë simbolike, e jo të veprojë të kundërtën e saj. Si kujtesë për këtë, Vinca ia ka përmendur kryeministrit pagat dhe pensionet e shtresave tjera të shoqërisë të cilat mezi jetojnë.
“Po e mbysni solidaritetin, virtytin, moralin, po e vrisni shpresën…”, ka shtuar Vinca.
Vinca nuk ka hezituar t’ia përmend Haradinajt kohën sa ishte në opozitë, dhe ishte zëri më i fuqishëm kundër demarkacionit në versionin e Muhat Mehës, duke i thënë se edhe hartat ia hodhi fytyrës dhe e quajti “peder”.
Por, pasi u bë kryeministër, shkruan Vinca, lerë që sakrifikoi 8200 hektarë tokë, por as nuk doli t’i kërkojë falje Mehës si burrat.
Gjithashtu, Vinca ia ka përmendur edhe vendimin tjetër me të cilin ia ndau 300 mijë euro familjarëve të Grupit të Kumanovës.
“Mbi çfarë baze ligjore i ndave 300 mijë euro për Grupin e Kumanovës dhe a mendove ndopak për pasojat politike që mund të ketë ky vendim”, pyet Vinca kryeministrin Haradinaj.
“Po e keqpërdor pozitën e kryeministrit, duke marrë vendime arbitrare dhe duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme, aq sa mund të thuhet se sjellja jote si kryeministër u ngjan, herë-herë, personazheve të vodvileve, pra qesharake”, ka shkruar më tej Vinca në letrën e hapur për kryeministrin.
Skandalin tjetër që Vinca ia përmend është ai i deportimit të shtetasve turq nga Kosova dhe në fund arsyetohet me “Unë nuk di gjë”.
Po ashtu, Vinca ia përmendi edhe skandalin e fundit në Prizren në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku në atë rast kryeministri, sipas Vincës, zgjodhi të sillej si bodigard, duke e larguar mbesën e Mehmet Derrallës nga foltorja.
“Bravo, kryeministër, të lumtë he burrë”, ka shkruar Vinca.
“A je i vetëdijshëm se me sjelljet dhe veprimet e tua e komprometon rëndë institucionin e kryeministrit dhe vetë shtetin që përfaqëson?”, pyet Vinca.
“A është kjo Kosova për të cilën u derdh gjak dhe u bënë as shumë sakrifica? Jo, mjerisht jo, njëqind herë, një mijë herë! Korrupsion, nepotizëm, zhvatje parash publike, gënjeshtra, mashtrime, hipokrizi, premtime boshe, shpenzime pa mbulesë, mungesë transparence, pasurim marramendës i një grupi njerëzish, oligarkësh, në njërën anë dhe varfërim i pandalshëm i shumicës së popullit, në anën tjetër; luftë për pushtet, dallavere, imoralitet, brutalitet, reket, krime e dhunë në çdo hap. Dhe zhgënjim e dëshpërim pa fund!”, ka shkruan ndër tjera Vinca.
Gjesti e bën edhe këtë – Futet në koshin e bërllokut për një...
Kurti nga Gjilani: Jemi të gjithë bashkë për një qeverisje d...
Bajrami: Partia në pushtet e ka përgjegjësinë pse s’ka rrymë
Theren me thikë tre persona në Prizren
Pas aterimit në Beograd, arrijnë në Prishtinë 155 udhëtarët ...
Hamza: Më shumë të ardhura për secilin, më shumë vende pune ...