Që nga e hëna, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka marrë edhe pozitën e Ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
Por Veliu sot pritet të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të komunës.
Tashmë, kompetencat në komunë i ka marrë nënkryetari i tij, Nexhmi Rudari.
Ai e ka konfirmuar këtë në një prononcim dhënë për arbresh.info teksa ka thënë se nuk ka nevojë për autorizim nga Agim Veliu.
“Nuk ka nevojë të më autorizoj sepse unë jam nënkryetar dhe automatikisht e marr këtë pozitë dhe përgjegjësitë e kryetarit të komunës derisa të bëhet shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe të përfundoj procesi zgjedhor”, ka thënë ai.
Rudari ka shtuar se gjatë të mërkurës pritet të bëhet dorëheqja me shkrim e Veliut.
“Në fakt po, prej sot por ligjërisht kryetari i komunës duhet të vij dhe të jap dorëheqje me shkrim e që besoj se nesër do të vijë e do ta deponoj dorëheqjen pastaj kompetencat kalojnë të nënkryetari derisa i gjithë procesi zgjedhor të kaloj ashtu siç është i paraparë me ligj”, ka thënë ai.
Por ndryshe nga Rudari, deklarohet njohësi i çështjeve kushtetuese në vend, Mazllum Baraliu. Ai në një prononcim dhënë për arbresh.info ka thënë se kryetari i komunës duhet të mbaj mbledhje në komunë përmes së cilës të autorizoj nënkryetarin për detyrën e re.
“Ai nuk mundet me qenë më kryetar, meqë është zgjedh në ministri janë të papërputhshme dy pozitat, të dyja janë ekzekutivë vetëm niveli dallon. Ai me siguri dje ka mbajtur mbledhje dhe e ka autorizuar njëri nga nënkryetarët nëse ka më shumë se një që të kryej detyrat përkatëse derisa nuk mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë”, ka thënë ai.
Sipas tij nënkryetari e mban këtë pozitë deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Nënkryetari e mban këtë pozitë derisa nuk e shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme nga presidenti sepse me neni 84 të Kushtetutë, presidenti i vendit është i autorizuar që t’i shpallë zgjedhjet qendrore dhe lokale. “
Zgjedhjet pasi t’i thirr presidenti, KQZ fillon përgatitjet pas shpalljes.
Baraliu ka shtuar gjithashtu se përmes kushtetutës nuk ka afat ligjor për thirrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ai ka thënë se ato mbahen pasi të thirren nga presidenti i vendit.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë njëjtë si në rastet tjera kur ka të tilla raste, mbahen në afat rekord duhet të organizohen kur presidenti i shpallë”, ka përfunduar ai.
E Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të filloj përgatitjet pasi të shpallen e për arbersh.info e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“E kemi shpjeguar edhe në rastet e kaluara të ngjashme, pra në rrethana të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, KQZ-ja fillon me përgatitjet intensive pasi të shpallet data e zgjedhjeve”, ka thënë Elezi.
Ndërsa i pyetur se sa do t’i kushtojnë këto zgjedhje buxhetit të shtetit , Elezi ka shtuar se nuk kanë planifikim.
“Viti 2020 nuk është vit zgjedhor. Pra për çfarëdo procesi të mundshëm zgjedhor gjatë këtij viti, KQZ-ja nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje. Ashtu siç kemi vepruar edhe në të kaluarën, pra në raste të ngjashme, KQZ-ja bën planifikimin dhe kërkesën buxhetore e përcjellë në Qeverinë e Kosovës”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë që të hënën e 3 shkurtit, në Kuvendin e Kosovës është votuar Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti.
Kjo Qeveri ka gjithsej 15 ministri ndërsa dorëzim-pranimi i detyrave është bërë gjatë të martës./arbresh.info/
Mbesin pa ujë deri nesër dy fshatra të Vushtrrisë
Atletico Madrid skuadra me më së shumti pikë në top pesë lig...
PZAP aprovon ankesën e Listës Serbe, anulohet moscertifikimi...
Driloni acarohet me Fitimin për shkak të Sarës, i bën një pa...
“Simba” dhe futbollistët e Gjilanit vizitojnë me fëmijet me ...
Tre të lënduar në aksidentin mes autobusit dhe një automjeti...