Agim Veliu flet për “shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme” dhe fërkimet me Albin Kurtin

21:42 | 11 Shkurt 2021
Arbresh.info

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka treguar pse kishte mbështetur kërkesën për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, deklaratë kjo që Kurti thotë se ishte pretekst për shkarkimin e tij.

Veliu ka thënë se kërkesa për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme ishte për shkak të situatës së rënduar në atë kohë.

“Shumë persona në atë kohë erdhën nga jashtë shteti. Qytetarët ishin shumë të shqetësuar dhe radhët në markete ishin shumë të mëdha. Kishte frikë për mungesë të ushqimeve”, tha ai, përcjellë Telegrafi.

“Pritej që Kosova të kishte numër të shtuar të infeksioneve. Për shkak të angazhimeve të shtuara unë as që e kisha lexuar deklaratën e Isa Mustafës në atë kohë e lëre më të kem koordinim me presidentin e atëhershëm Hashim Thaçi”.

Veliu thotë se ka menduar se në atë kohë do të duhej të mobilizohen të gjitha kapacitetet shtetërore.

Ai thotë se deklarata e tij nuk lidhej fare me shkarkimin që ia bëri Albin Kurti.

“Albin Kurti në ato ditë nuk ishte në gjendje të merrej me punët e Kosovës. Albin Kurti nuk ishte i gatshëm të ulej në tavolinë me faktorët ndërkombëtarë për të biseduar për Kosovën”.

Kandidati për deputetë nga LDK-ja thotë se asnjëherë nuk ka punuar kundër qeverisë dhe Albin Kurtit sa ishte ky i fundit kryeministër.

“Kurti asnjëherë nuk më ka ftuar e të më thotë se nuk është kryer ndonjë punë”.

Veliu thotë se ka qenë në vazhdimësi kundër një koalicioni me Vetëvendosje.

“E kam ditur se një koalicion i tillë nuk funksionon, por ka qenë mendim i shumicës së Kryesisë në LDK për koalicion pas zgjedhor”, tha ndër të tjera Agim Veliu./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme