Agim Kruezi dënohet me 17 vjet burgim për përgatitje të sulmit terrorist në Australi

09:06 | 31 Korrik 2018
Arbresh.info

Një person nga Queensland, Australi, që po planifikonte një sulm vetëvrasës në tokën australiane, është dënuar me 17 vjet burgim.

Agim Kruezi, 25 vjeçar, me prejardhje shqiptare, u arrestua në aksionin kundër-terrorist në Logan shtatorin e vitit 2014, dhe u deklarua fajtor për përgatitje të një sulmi terrorist dhe për përgatitje për inkursion në një shtet të huaj.

Prokurori Lincoln Crowley i tha gjykatës se Kruezi po planifikonte “të vriste njerëz të rastësishëm, të pafajshëm, në një hapësirë publike dhe përfundimisht të vdiste si martir në atë sulm”, raporton abc.net.au.

“[Kruezi] ka shfaqur mbështetje për martirizim, sa që besonte se martirët shkojnë automatikisht në parajsë dhe besonte se do të shkonte atje shpejtë”, thotë Crowley.

Me t’u arrestuar, Kruezit i ishin gjetur një armë e mbushur gjysmë-automatike, dy helmeta, dy hanxharë, një letër nga DFAT që i thoshte atij se i ishte anuluar pasaporta, një kopje të një libri të quajtur “Jihad” dhe një flamur të Shtetit Islamik të ngjitur në murin e dhomës së tij të gjumit.

Disa ditë para arrestimit të tij, Kruezi kishte blerë një bidon të metaltë me 10 litra benzinë dhe kishte dalë për të blerë shishe qelqi dhe tapa me qëllim të prodhimit të koktejeve të Molotovit.

Ai kishte blerë edhe një hark dhe shigjetë sepse ishte hidhëruar me anulimin e pasaportës së tij nga autoritetet australiane, kur kishte planifikuar të shkon te në Siri për të luftuar.

Në laptopin e Kruezit ishin dy video të tij teksa qëllonte me shigjetë në një maket stiropori dhe udhëzime se si të bëhet prerja e kokës.

Ndërkaq, gjyqtarja Roslyn Atkinson tha po ashtu se nuk ishte e bindur se Kruezi nuk kishte më qëndrime ekstreme.

“Nuk ka asnjë dëshmi se ju i keni ndryshuar qëndrimet”, tha ajo. “Nuk shoh dëshmi të keqardhjes. Ju po ashtu keni vlerësuar besimet tuaja mbi sigurinë dhe jetët e njerëzve që jetojnë dhe punojnë në këtë komunitet”.

Familja e Kruezit qëndroi prapa tij në gjykatë, dhe qanë kur u dha dënimi.

Derisa po largohej me pranga në duar, ata bërtitën: “Do të shihemi së shpejti, të duam”.

Kruezi mund të lirohet me kusht pas 13 vjetësh, ndonëse Qeveria Shtetërore e ka mundësinë e zbatimit të vendimit ndaj tij që të vuajë dënimin e plotë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme