në Agim Çeku, ish-Komandant i Përgjithshëm i UÇK’së, do të dalë para Gjykatës Speciale të hënë si i dyshuar për krime lufte. Shkuarjen e tij e ka konfirmuar avokati kosovar i ish-Kryeministrit kosovar.
Agim Çeku, të hënën, do të intervistohet si i dyshuar për krime lufte, në selinë e Gjykatës Speciale në Hagë.
Çeku do të përgjigjet në pyetjet e prokurorëve të Speciales për periudhën e luftës dhe pasluftës dhe krimet që kanë ndodhur në atë kohë.
Shkuarjen në Hagë të Çekut e ka konfirmuar avokati i tij, Artan Qerkini.
Ndërkohë, Çeku kishte thënë se UÇK’ja s’ka bërë asnjë krim dhe se do t’i përgjigjet drejtësisë ndërkombëtare.
Sidoqoftë, Gjykata Speciale ishte themeluar për t’i hetuar pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili kishte hartuar një raport me të cilin i përfshinte ish-udhëheqësit e UÇK’së në krime kundër njerëzimit deri te vrasjet politike të pasluftës.
Nga janari 2019 janë intervistuar më shumë se 200 persona, përfshirë ish-eprorë të UÇK-së, ish-deputetë, kryetarë komunash e qytetarë të thjeshtë.
Madje, ka një njoftim se aktakuzat e para kanë shkuar në Speciale ku janë nëntë ish-udhëheqës të UÇK’së në mesin e të cilëve edhe Presidenti aktual, Hashim Thaçi dhe Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli. Deri në tetor është koha kur do të refuzohet ose konfirmohet një aktakuzë e tillë e Speciales.
Por, pse është themeluar Gjykata Speciale e cila ishte cak i zhbërjes në fund të vitit 2017?
Përgjigja është e qartë: për t’i sqaruar akuzat që janë shkruar nga një zviceran, Dick Martyt, në një raport 27 faqesh, ku i bën përgjegjës udhëheqësit e UÇK’së për krimet e kryera gjatë dhe me krimin e organizuar pas luftës.(raporti shqip: KETU)
Për t’i hetuar këto akuza ishte emëruar edhe Prokurori, Clint Williamson, i cili kishte thënë se do të ngritën përafërsisht dhjetë aktakuza ndaj ish-udhëheqjes së UÇK’së.
Por, kush janë emrat që përmenden në raportin e ish-senatorit zviceran?
Ata janë: Hashim Thaçi, Shaip Muja, Kadri Veseli, Azem Syla, Fatmir Limaj , Xhavit Haliti, Haradinaj janë personazhet kryesorë në Raportin e Dick Martyt.
Këta ish-udhëheqës të UÇK’së, Marty, i ndërlidh me veprime kriminale të kryera gjatë kohës së luftës dhe pasluftës.
Sa herë përmenden emrat e udhëheqësve të UÇK’së në Raportin e Martyt?
Më së shumti përmendet emri i ish-udhëheqësit politik të UÇK’së, Hashim Thaçit. Pra, emri i tij figuron në pothuajse secilën prej 30 faqeve të Raportit. Konkretisht, pesë herë përmendet emri dhe mbiemri, ndërsa, 21 herë të tjerë mbiemri i tij. Në total, emri i Ish-Kryeministrit Thaçi përmendet 26 herë.
Pas tij vjen deputeti tjetër i PDK’së, Shaip Muja, i cili përmendet 20 herë në Raport. Ai ka pasur pozita edhe në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK’së.Pos tyre, në Raport përmendet shtatë herë edhe emri i Kadri Veselit, aktualisht, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Gjashtë herë përmendet edhe emri i Fatmir Limajt, aktualisht, Zëvendëskryeministër dhe udhëheqës i NISMA’s. Azem Syla dhe Familja Haradinaj përmenden nga dy herë në raport.
Emërtimi “Grupi i Drenicës” përmendet pesë herë, ndërsa, udhëheqës i tij, thuhet se është Hashim Thaçi.
“Ky lloj aktiviteti kriminal ka vazhduar të veprojë edhe pas luftës në forma të tjera, të ndërlidhura me krimin e organizuar, derisa Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEXi zbuloi rastin e klinikës Medicus në Prishtinë për trafikim organesh”, thekson raporti.
“Disa anëtarë të tjerë të ‘Grupit të Drenicës’ na janë dhënë indikacione gjatë hulumtimit se kanë luajtur rol vital si bashkëkonspiratorë në aktivitete të ndryshme kriminale. Këtu përfshihen Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla dhe Fatmir Limaj. Të gjithë këta janë hetuar vazhdimisht gjatë dekadës së fundit si të dyshuar për krime lufte dhe ndërmarrje të përbashkëta kriminale, duke përfshirë raste të mëdha të udhëhequra nga UNMIKu, Tribunali i Hagës, dhe EULEXi. Deri më sot, të gjithë i kanë ikur drejtësisë”, shkruan mes tjerash Marty.
“Burimet e drejtpërdrejta që disponojmë tregojnë në mënyrë të besueshme se Haliti, Veseli, Syla e Limaj, si dhe Thaçi e anëtarët e tjerë të rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë, do kenë urdhëruar, e ndonjëherë do kenë ndjekur edhe personalisht, realizimin e një numri vrasjesh, burgosjesh, agresionesh dhe marrjesh në pyetje, në rajone të ndryshme të Kosovës dhe konkretisht, çka na intereson në mënyrë më të veçantë, gjatë operacioneve të kryera nga UÇK-ja në territorin shqiptar, në vitet 1998-2000”, thuhet në raport./Express/
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...
Ftohtë dhe reshje borë, parashikimi i motit për pesë ditët e...