Gjatë ditës së djeshme, në Klinikën Infektive të QKUK’së është paraqitur rasti i parë i prekur me Ethe Hemorragjike Krime Kongo. Rasti është konfirmuar në një person nga fshati Bresalc nga komuna e Gjilanit. Por janë edhe qindra raste të tjera të kosovarëve të cilët janë pickuar nga rriqrat. Vetëm në Malishevë për tre muaj 271 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore.
Në korrikun e vitit të kaluar në trupin e një 13-vjeçari nga komuna e Malishevës ishin futur plot 22 rriqra. Ky rast kishte qenë alarmant për mjekët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë. Por janë edhe me qindra raste të tjera kur rriqrat i kanë sulmuar qytetarët. Vetëm në pesë muajt e fundit në këtë qendër janë raportuar 271 raste të pickimeve. Nga kjo shifër vetëm një person është transferuar për në QKUK.
Kështu i ka thënë të enjten Expressit, kryeinfermierja në QKMF’në e Malishevës, Valbona Gashi.
“Deri më tani, 16 janar, janë 271 raste të pickimit nga rriqrat. Të udhëzuar në klinikën Infektive e kemi vetëm një rast pasi që i ka pasur disa simptome të epidemisë. Këtë pacient për në Infektivë e kemi referuar më 4 maj”, shpjegon ajo.
Megjithëkëtë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sipas Gashit, ka rritje të numrit të të pickuarve nga rriqrat.
“Krahasuar me vitin e kalum, këtë vit kemi raste më shumë dhe paraqitja e rasteve ka ndodhur më herët. Pra është dyfishi i rasteve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Kjo ndoshta duke e marrë parasysh klimën dhe temperaturat që kanë mbizotëruar gjatë kësaj kohe”, thotë ajo duke treguar se personat që më së shumti po pickohen janë të moshës 20 deri në 30 vjeç.
Ndërkohë, në të gjithë Kosovën, për tre muaj sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike që nga muaji shkurt e deri në maj, rreth 873 raste janë paraqitur me pickime nga rriqrat.
Vatër e rriqrave vazhdon të mbetet komuna e Malishevës me 271 raste, Suhareka 197 raste, Klina 140 raste, Rahoveci 46 raste dhe komunat e tjera me numër më të vogël të rasteve. Ndërkohë që në Klinikën Infektive është i hospitalizuar një rast i dyshimtë i cili ka gjendje stabile shëndetësore.
“Situata epidemiologjike me EHKK është në kontroll të plotë dhe në mbikëqyrje permanente nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i cili zbaton strategjinë për parandalimin dhe luftimin e EHKK të Këshillit Ndërministror për luftimin e EHKK”, thonë nga Instituti Kombëtarë.
Rreth kësaj çështjeje, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa parandaluese edhe këtë vit. Edhe këtë vit, si vitet paraprake, kemi marrë masa parandaluese për ethet hemorragjike krime kongo, së bashku me këshillin ndërministror. Megjithëkëtë, në vitin 2013, në Kosovë kanë humbur jetën 11 persona nga ethet hemorragjike dhe janë pickuar nga rriqrat 5,200 qytetarë. Derisa në vitet në vijim, falë masave parandaluese, janë evituar viktimat.
Kujtojmë së koha kur sëmundja e etheve hemorragjike krime kongo shfaqet në Kosovë është nga prilli deri në shtator. Kjo sëmundje shkaktohet nga pickimi i rriqrave, ndërsa vatër e saj janë Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina.
Gruaja bie nga kati i shtatë i një banese në Fier, dyshohet ...
“Të ndalohen telefonat”, Rama: Kontrolle në hyrje dhe dalje ...
Vdes në moshën 112-vjeçare njeriu më i vjetër në botë
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...