Aferat e politikanëve në Telekom mund të qojë në burg shumë prej tyre

09:32 | 26 Maj 2019
L G

Por Komisioni Hetimor për PTK dhe Vala po pretendon se me provat e mbledhura nga të intervistuarit tjerë do të shkaktojnë ‘tërmet’ në skenën politike.

Nënkryetari i këtij komisioni, Milaim Zeka ka thënë për arbresh.info se të gjithë njerëzit e politikës janë të përfshirë në PTK.

“Unë mendoj se Komisioni Hetimor që është ofruar për Postën dhe Telekomin e Kosovës do të shkaktoj tërmet komplet klasës politike në Kosovë. Nuk është mirë që dikuj u ngutet që Telekomi të shkoj në privatizim të tregoj pse, sipas meje PTK është deshtë të privatizohet në vitin 2010-2011 e jo tash kur e kanë hëngër dhe kanë mbet vetëm eshtrat. Le të presin raportin e plotë nga Komisioni dhe pastaj Qeveria mund të marrë vendim”, ka thënë ai.

Zeka ka shtuar gjithashtu se raporti i Komisionit mund të qoj në burg shumë persona.

“Nuk ka njeri të politikës që nuk është i përfshirë në Postën dhe Telekomin e Kosovës, vetëm në hetimet deri tani kemi materiale që bordet që kanë qenë në të kaluarën duke mos përjashtuar edhe bordin aktual komplet mund të shkojnë në burg”, ka shtuar ai.

E Zeka ka përmendur edhe disa raste të keqpërdorimeve.

“Kanë ble çanta 6 mijë euro, 10 mijë euro i kanë nda për vete për me mësu anglisht”, ka përfunduar ai.

E se kanë marrë informacione të reja e konfirmon edhe anëtarja tjetër e këtij komisioni, Albulena Haxhiu.

Ajo në një prononcim dhënë arbresh.info ka thënë se sipas dëshmive presioni ka ardhur nga qeveritë.

“Ne deri tani kemi pas vetëm një dëshmitar që është Adnan Merovci që ka qenë kryeshef ekzekutiv në kohën kur është nënshkruar një marrëveshje e parimeve e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kontratës me Z-Mobile. Nga kjo dëshmi kemi marrë goxha informacione që nuk i kemi pas më herët dhe është dëshmuar se për ta nënshkruar këtë marrëveshje të parë ka pas presione nga Bordi e pastaj janë lënë hapësirat për të kuptuar se Bordi ka pas presion nga Qeveria në krye të së cilës ka qenë Hashim Thaçi”, ka thënë Haxhiu.

Edhe deputetja e VV-së ka thënë se lidhet e politikës me Telekom do të dërgohen edhe në sistemin e drejtësisë.

“Unë jam e bindur që nëse vazhdohet me këtë punë në komisionin hetimor të dhënat që do të prezantohen për opinionin publik, Kuvendin e Kosovës dhe pastaj sistemin e drejtësisë do të jenë të dhëna që tregojnë lidhjen e politikës me njerëz brenda Telekomit që janë përgjegjës për degradimin e ndërmarrjes dhe gjigantit ekonomik siç është Telekomi”, ka shtuar ajo.

Dështon hedhja në votim e vendimit për privatizim

Të martën pikë e rendit të ditës në Komisionin për Zhvilli Ekonomik ishte edhe votimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Telekomit të Kosovës.

Por me kërkesën e nënkryetarit të këtij komisioni, Dardan Sejdiu është hequr nga rendi i ditës. Sejdiu ka kërkuar raportin e plotë nga Komisioni Hetimor.

“Të shohim raportin përfundimtar hetimor nga Komisioni parlamentar për Telekomin, pastaj të shohim. Përndryshe, unë nuk marr pjesë në votim”, ka thënë Sejdiu.

E kundër këtij qëndrimi ishte anëtari tjetër i komisionit, Memli Krasniqi i cili tha se nëse votohet sot privatizimi do të ndodhë pas dy vitesh.

“Nuk duhet me lënë në gjendje aq të keqe në të cilën është Telekomi. Vetëm privatizimi e kishte shpëtuar Telekomin. Mendoj se duhet votohet ky vendim, s’e edhe ashtu i gjithë procesi i privatizimit nuk mund të ndodhë para dy vjetësh. Nëse nuk merr pjesë Dardan Sejdiu, propozoj mos me e qitë në rend dite, kështu që vetëm bartet nga mbledhja në mbledhje”, ka thënë Krasniqi.

E me shumicë votash është miratuar kërkesa e përfaqësuesit të PSD-së, Dardan Sejdiut për heqje të këtsaj pike nga rendi i ditës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme