Afera e mishit të prishur nga Belgjika, rihapet depoja e fabrikës ‘Euro Ida’ në Rahovec

21:55 | 19 Maj 2018
Arbresh.info

Kompania nga Rahoveci “Euro Ida”, e cila kishte importuar mish nga kompania belge ‘Vevibva’ në vitin 2016 ishte mbyllur nga autoritetet e Kosovës për shkak të aferës së mishit të prishur.

Për këtë aferë, Gjykata Themelore në Prizren i kishte caktuar masën e paraburgimit pronarit të kompanisë Anton Jupa. Mirëpo, javën e kaluar, Jupës iu ndryshua masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Në kërkesën për paraburgim, Prokuroria në Prizren tha se ekziston dyshimi i bazuar që Jupa ka importuar nga Belgjika mish gjedhi me afat të skaduar në sasinë 19,657 kilogramë të cilin, sipas prokurorisë ka tentuar ta shesë në terminalin doganor në Prizren më 12 shtator 2017, edhe pse e ka ditur se është i dëmshëm për njerëzit.

Por, depoja e fabrika e cila ishte mbyllur nën dyshimin se kishte importuar mish të prishur, tani është e hapur.

Në një përgjigje për Indeksonline nga zyra për informim publik në Komunën e Rahovecit, thuhet se depoja tani është e hapur me vendim të prokurorisë.

“Depo ka qenë e mbyllur, por inspektorët e AUVK-ut dhe prokurori e kanë lejuar të hapët përsëri. Sa i përket mishit të prishur, deri në këtë periudhë nuk ka pasur raste”, thuhet shkurt në përgjigjën e tyre.

Se depoja e fabrikës ‘Euro Ida’ është hapur, e ka konfirmuar për Indeksonline edhe zyrtari për informim në AUV, Lamir Thaçi.

Ai ka thënë se në me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë, fabrika është rihapur pasi sipas tyre, kjo nuk i pengon hetimet.

“Fillimisht ne konsultim me Prokurorinë e Shtetit gjegjësisht Prokurorinë Themelore në Prizren dhe me Policinë e Kosovës, hetuesit e rastit në fjalë, në bazë të konstatimit të përgjithshëm se rihapja nuk i pengon hetimet. Pas aksionit të ndërmarrë inspektorët kompetentë të Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë kanë kryer kontrollet e vazhdueshme për të mbikëqyrur zbatueshmerinë e urdhëresave të dhëna”, thuhet në përgjigjën e tij.

Mirëpo, depoja e rihapur do të mbahet nën vëzhgim të inspektorëve. Po ashtu bëhet e ditur se pas rihapjes së depos ftohëse, kjo kompani ende nuk i ka vendosur produktet.

“Inspektorët kanë konstatuar se nuk ka pasur produkte tjera të deponuara dhe se masat tekniko sanitare janë realizuar sipas urdhëresave të dhëna bazuar në ligjet në fuqi është lejuar rihapja, dhe si operator do të mbahet nën vëzhgim. Pas rihapje se depos ftohëse kjo kompani ende nuk vendosur produkte ne depo. Tani përveç kontrollit në kufij ngarkesat e para do të kontrollohen në mënyrë të detajuar edhe ne depo ftohëse gjatë shkarkimit, për të ju shmangur çfarëdo dyshimi të mundshëm. Sigurisht pastaj kontrollet tjera pasohen sipas planeve nacionale për kontroll dhe mostrim ku në këto raste parashihet rritja e frekuencës se kontrollit”, ka thënë me tutje Thaçi.

Thaçi ka bërë të ditur se produktet që janë gjetur në kohën e aksionit nuk janë testuar, por se janë asgjësuar automatikisht.

“Produktet të cilat janë gjetur në kohen aksionit nuk janë testuar dhe analizuar për shkak sepse bazuar në ligjet në fuqi kur gjendja është e tillë produkti asgjësohet automatikisht bazuar ne kushtet higjienike dhe skadimit të afatit të produktit”, ka përfunduar ai.

Kompania Veviba e Belgjikës ka eksportuar mish pa afat në Kosovë. Kjo kompani po ashtu ka falsifikuar dokumente gjatë eksportit, përfshirë datat e skadimit.
Autoritetet në Belgjikë tashmë e kanë mbyllur këtë fabrikë dhe marketet atje e kanë larguar nga shitja mishin e kësaj kompanie.

Rreth 20 ton të këtij mishi ishin kapur nga autoritetet e Kosovës në vitin 2016 dhe ishin asgjësuar në Prizren.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme