Asnjë parti nuk ka deklaruar koalicion parazgjedhor deri më tani, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Këtë kanë kohë ta bëjnë vetëm deri nesër. Megjithatë, janë disa rregulla të përcaktuara në Ligjin për zgjedhjet të cilat duhet të respektohen nga partitë politike për të lidhur koalicion ndërmjet vete.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Express se afati për deklarim të koalicioneve është deri të martën në orën 18:00.
Ai ka shtuar se koalicioni mund të përbëhet vetëm nga partitë politike.
“Partitë politike të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes Koalicionit, duhet që të njoftojnë KQZ-në deri më datë 12 janar dhe deri në orën 18:00. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme koalicioni mund të përbëhet vetëm nga partitë politike”, ka deklaruar Elezi.
Elezi ka deklaruar se deri të hënën, KQZ nuk ka pranuar asnjë njoftim për koalicion nga partitë politike.
“Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë njoftim për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit”, ka thënë Elezi.
Elezi ka thënë se partitë politike duhet t’i kenë parasysh rregullat e përcaktuara në Ligjin për zgjedhjet.
“Partitë politike të cilat nuk e njoftojnë KQZ-në se do të garojnë në këto zgjedhje si koalicione, ato nuk mund të aplikojnë për certifikim dhe të garojnë si pjesë e koalicionit pas afatit të paraparë. Po ashtu, partitë politike që deklarohen se do të garojnë në emër të koalicionit, pas datës 12 janar nuk mund të garojnë si të vetme në zgjedhje”, ka thënë Elezi.
Ai ka bërë të ditur se partia e cila tërhiqet nga koalicioni pas datës 12 janar, nuk mund të garojë e vetme e as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër.
“Partia politike e cila tërhiqet nga koalicioni pas datës 12 janar, nuk mund të garojë si e vetme dhe as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër. Ndërsa, pjesa tjetër e atij koalicioni mund të marrë pjesë në zgjedhje. Gjithashtu, të gjitha partitë e regjistruara që vendosin të marrin pjesë në zgjedhje, duhet që të nënshkruajnë formularin e pëlqimit të koalicionit”, ka deklaruar Elezi.
Ndërkohë, disa prej zyrtarëve të PDK’së dhe Nismës kanë dalë pro një koalicioni ndërmjet këtyre dy partive, por deri më tani nuk ka pasur asgjë zyrtare.
Edhe nga AKR’ja kanë deklaruar se do të lidhin koalicion me LDK’në, por kreu i kësaj të fundit, Isa Mustafa, në një prononcim për Express të dielën tha se partia e tij do të hyjë e vbetme në zgjedhje.
Mustafa tha se mund të përfshihen në listën e LDK’së bashkëpunëtorët që ka pasur kjo parti në të kaluarën.
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...