Aeroporti “Adem Jashari”, pret rekomandimin e IKSHPK-së për hapjen e fluturimeve

17:40 | 13 Qershor 2020
Arditë Shkodra

Autoriteti i Aviacionit Civil, njofton se janë duke bërë vlerësimet dhe përgatitjet e duhura për hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për fluturime ajrore.

Përmes një komunikate thonë se të gjitha rekomandimet e dala nga protokolli ndërkombëtar i sigurisë për mbrojtjen e shëndetit në aviacion do të zbatohen.

Njoftim i plotë:

Njoftohen të gjithë operatorët ajrorë, udhëtarët dhe palët tjera të interesuara se Autoriteti i Aviacionit Civil, në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse janë duke bërë vlerësimet dhe përgatitjet e duhura për hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për fluturime ajrore, duke u siguruar se të gjitha rekomandimet e dala nga protokolli ndërkombëtar i sigurisë për mbrojtjen e shëndetit në aviacion do të zbatohen.

Pritet vlerësimi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në lidhje me situatën aktuale shëndetësore me Covid-19 dhe në momentin e një rekomandimi pozitiv nga ky Institut, Ministria e Shëndetësisë në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës do t’i propozojnë për vendimmarrje Qeverisë hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për fluturime të rregullta, thuhet në fund./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme