Aeroporti ‘Adem Jashari’ preket nga falimentimi i avio-kompanisë gjermane

14:23 | 8 Shkurt 2019
Arbresh.info

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, deri më tani janë realizuar me sukses të gjitha fluturimet, por pas falimentimit të kompanisë ajrore më të rëndësishme në Gjermani, “Germania Flug”, kjo kompani ka ndaluar fluturimet.

Kështu tha në një prononcim për Arbresh.info, Unidon Krasniqi, zëdhënës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

“Javëve të fundit ne u informuam se janë tejkaluar vështirësitë financiare, por në fillim të kësaj jave me keqardhje morëm lajmin se njëri nga operatorët ajror me prezencë mjaft të madhe në Aeroportin e Prishtinës, njëherit njëra nga kompanitë ajrore më të rëndësishme në Gjermani ka ndaluar fluturimet”, ka deklaruar për arbresh.info, Unidon Krasniqi.

Po ashtu, Krasniqi tha se kompania “Germania”, e kishte paraqitur para autoriteteve në Gjermani situatën e saj financiare, por kjo ka rezultuar me ndalimin e fluturimeve.

“Kompania ajrore “Germania” ka paraqitur para autoriteteve në Gjermani situatën e saj financiare dhe pamundësinë e kryerjes së pagesave që për rrjedhojë rezulton me ndalim të fluturimeve”, ka thënë Krasniqi, për Arbresh.info.

Ai gjithashtu, në fund theksoi se në njoftim të kompanisë ajrore “Germania” theksohet se kompania zvicerane “Germania Flug”, e cila operon në aeroportin e Prishtinës nuk afektohet nga kjo situate.

Të ngjashme