Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të mërkurën ka numëruar disa nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës për vitin 2024.
Ministria e Financave, sipas Kurtit, këtë vit do të vazhdojë me reformën pensionale.
“Ndërkohë që prioritet do të jetë edhe procesi i fiskalizimit, përmes ës cilës do të rrisim formalizimin e ekonomisë”.Për Ministrinë e Industrisë angazhimi prioritar, sipas Kurtit, do të jetë përmirësimi i ambientit për të bërë biznes, shkruan Arbresh.info
“Një gjë e tillë do të ndodhë nëpërmjet shërbimeve më të mira për biznese, mbrojtjes së pronësisë industriale dhe rritjes së mbikëqyrjes së tregut”, pohoi ai.
Adresimi i plotë i Kurtit:
Në mbledhjen e fundit të vitit 2023 prezantuam arritjet kryesore të 12 muajshit të kaluar, ndërkaq sot, pra në njërën nga mbledhjet e para të këtij viti, më lejoni që në emër të juve dhe para qytetarëve tanë të paraqes një përmbledhje të prioriteteve që i kemi vendosur vetes për 2024-tën.
Ministria e Punës, Financave dhe Transfereve, këtë vit do të vazhdojë me reformën pensionale. Rikujtojmë se vitin e kaluar krijuam Skemën Pensionale Parciale Kontributive për pensionistët, të cilët u patën përjashtuar nga puna gjatë viteve të 90-ta si rezultat i masave të dhunshme asokohe. Ndërkohë që prioritet do të ketë edhe procesi i fiskalizimit, përmes së cilit do rrisim formalizimin e ekonomisë, si dhe reforma në prokurimin publik, për të rritur transparencën dhe efikasitetin e shpenzimeve publike.
Për Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, angazhim prioritar do të jetë përmirësimi i ambientit për të bërë biznes nëpërmjet shërbimeve më të mira për biznese, mbrojtjes së pronësisë industriale dhe rritjes së mbikëqyrjes së tregut. Përshpejtimi i transformimit digjital dhe inovacionit te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe ato fillestare përmes politikave për nxitjen e inovacionit dhe zhvillimin e industrisë drejt produkteve dhe shërbimeve me vlerë të shtuar, po ashtu do të jenë prioritete të ministrisë.
Në vitin 2023, e hapëm ankandin e parë solar me kapacitet prej 100 megavat (MW). Këtë vit, në mesin e planeve kryesore të Ministrisë së Ekonomisë e të Qeverisë sonë në fushën e energjisë është lansimi i ankandit të erës me kapacitet 150 MË në dy llote nga 75 MW. Në të njëjtën kohë, do t’i japim vëmendje të shtuar e të veçantë Trepçës dhe investimeve aty.
Reforma në drejtësi është prioritet i Qeverisë e programit qeverisës, andaj ajo do të vazhdojë të jetë prioritet i Ministrisë së Drejtësisë. Vettingu po merr rrugë, pas Aktgjykimit në fund të vitit që lamë pas, nga Gjykata Kushtetuese. Ky proces përveçse premtim, është domosdoshmëri që na dëshmohet çdo ditë. Krahas tij, e teksa presim tash e 11 muaj për vendim të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, luftën kundër korrupsionit në këtë vit do ta bëjmë edhe përmes themelimit të Byrosë për Konfiskimin Civil dhe funksionalizimit të Task-forcës Anti-korrupsion e të ekipeve të përbashkëta të hetimit. Adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës si prioritet tjetër i yni, do të vijoj tutje me funksionalizimin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, por gjithashtu, me finalizimin dhe miratimin e Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale. Paralelisht, Ministria e Drejtësisë gjithashtu do të fokusohet edhe në adresimin e dhunës në familje dhe përmirësimin e shërbimeve sociale dhe familjare, ndër të tjera përmes akteve të ndryshme nënligjore, zbatimit të masës për Punësimin e Viktimave të Dhunës dhe mbështetjes së qëndrueshme financiare për strehimoret dhe OJQ-të që ofrojnë shërbimet sociale dhe familjare.
Në 2023, buxheti për mbrojtjen ishte më i larti ndonjëherë, mbi 200 milionë euro, apo më shumë se 2% e Bruto Produktit Vendor që është kriter i NATO-s. Numrin e ushtarëve e rritëm. Investimet në armatim po ashtu. E ushtrinë e pajisëm edhe me Dronë Luftarakë Bayraktar. E tash në këtë vit, në përputhje me miratimin e buxhetit në fund të vitit të kaluar, rritja e kapaciteteve mbrojtëse do të jetë prioriteti i parë i Ministrisë së Mbrojtjes. Për një fillim të mbarë të vitit, në fillim të këtij viti ne morëm konfirmim nga Departamenti Amerikan i Shtetit se pranuar kërkesën tonë për të blerë sistemin raketor antitank “Javelin”. E përgjatë vitit, krahas blerjeve të reja e investimeve tjera, në fushën e mbrojtjes prioritet do të ketë edhe bashkëpunimi ndërkombëtar me miq, partnerë e aleatë.
Viti i kaluar ka qenë një vit sfidues po gjithsesi i suksesshëm në fushën e sigurisë dhe çështjeve të brendshme. Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka buxhetin më të lartë ndonjëherë, sivjet për prioritet do ta ketë shtimin e kapaciteteve infrastrukturore, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe investimet në pajisje operacionale të Policisë së Kosovës. Kurse në kuadër të administratës publike që po ashtu mbulon kjo ministri, synohet kompletimi i kornizës së akteve nënligjore të Ligjit për Zyrtarë Publik dhe Integrimi i shërbimeve të digjitalizuara në E-Kosova.
Për bujqit dhe fermerët, në vitin 2023 kishim buxhetin po ashtu më të lartë ndonjëherë, me mbi 100 milionë euro. Këtë vit të ri e kemi filluar pa obligime dhe borxhe ndaj tyre. Në fillim të muajit janar shpalosëm Programin për Pagesa Direkte për vitin 2024 me të cilin do të përkrahim 28 nën-sektorë e kultura bujqësore. E zbatimi i tij do të jetë një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me dy tjera, atë të zbatimit të Programit për Zhvillim Rural dhe të procesit të akreditimit për Instrumentin e Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPARD) të Bashkimit Evropian, ku i kemi siguruar 7 milionë euro. Në pjesën e parë të vitit pritet të fillojë edhe zbatimi i projektit për agroturizëm, ekoturizëm e zhvillim rural, me mbështetje direkte nga Qeverisë Gjermane në vlerë prej 20.2 milionë euro.
Kandidatura e suksesshme e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 ishte kryelajmi i vitit të kaluar, jo vetëm për sportin. Sivjet, ndër top objektivat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë ligji i veçantë, komiteti organizativ dhe masterplani për të mirëpritur 26 shtete në 23 disiplina, mijëra atletë e dhjetëra mijëra turistë, me mbi 250 milionë euro investime. Me planin pesë vjeçar për infrastrukturën e futbollit, përparësi këtë vit kanë stadiumet e futbollit në qendrat kryesore dhe nisja e procedurës për stadiumin nacional. Ndërkohë që janë paraparë mbi 17 milionë euro mbështetje direkte për kulturë, trashëgimi kulturore, rini dhe sport. Mbështesim federatat sportive, festivalet e garat ndërkombëtare, autorin e librin, blerjen e veprave të artit. Ministria e Kulturës do të punojë fort edhe në konsolidimin e infrastrukturës kulturore. Sivjet nisin renovimet e ndërtesave të Teatrit Kombëtar, Bibliotekës Kombëtare, Muzeut Kombëtar dhe Galerisë Kombëtare. Trashëgimia kulturore do të vazhdojë të mbetet prioritet i lartë për Ministrinë e Kulturës. Do ta vazhdojmë kujdesin për komunitetet tona jo shumicë. Ministria për Komunitete dhe Kthim do të angazhohet për kthimin, riintegrimin, integrimin dhe ofrimin e mundësive të zgjidhjes së qëndrueshme për personat e zhvendosur dhe të kthyerit vullnetarë nga radhët e komuniteteve jo shumicë. Gjithashtu do të kujdeset në përmirësimin e mirëqenies së tyre duke ofruar mundësi të barabarta të punësimit, shërbimeve sociale, mbrojtjes, arsimit dhe kulturës, përfaqësimin proporcional në administratën publike po ashtu. Ndërkaq, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të vazhdojë me financimin e ndërtimit dhe renovimit të shtëpive të komuniteteve jo shumicë në komuna përmes të njëjtit program të cilin e filluam që ta zbatojmë vitin e kaluar, krahas angazhimit për digjitalizim të sa më shumë shërbimeve elektronike nëpërmjet platformës e-Komuna, si dy prej prioriteteve të saj për këtë viti.
Duke qenë se tashmë kemi kaluar me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, anëtarësimi i plotë në këtë organizatë mbetet prej synimeve kryesore të politikës së jashtme, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për këtë vit. Ndërkohë që do të vazhdojë blerja e ndërtesave të reja për misionet tona diplomatike, krahas planifikimit për miratimin e tre ligjeve shumë të rëndësishme: i pari ligji për Diasporën; i dyti ligji për Protokollin e Shtetit; dhe i treti ligji për Shërbimin e Jashtëm, si dhe rekrutimit të diplomatëve të rinj për fuqizimin e diplomacisë sonë anë e mbanë globit. Viti 2024 ka filluar si është më së miri. Pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, njohjes së pasaportës nga Spanja, e dekretit për hapjen e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë në Vatikan, dje morën edhe njoftimin zyrtar se nga 22 shkurti qytetarët tanë do të mund të udhëtojnë pa viza edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Të gjitha këto forcojnë subjektivitetin tonë ndërkombëtar, që përveçse prioritet i këtij viti, ka qenë dhe është prioritet programor i politikës sonë të jashtme.
Në sektorin e arsimit, për këtë vit do të fokusohemi në rritjen e përfshirjes dhe qasjes së barabartë në edukimin në fëmijërinë e hershme dhe furnizimin me pajisje teknologjike dhe digjitalizimin në arsimin parauniversitar. Njëkohësisht, prioritet për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit do të jetë ngritja e cilësisë së arsimit parauniversitar përmes konsolidimit të mekanizmave për sigurim të cilësisë, instrumenteve matëse dhe rritjes së numrit të inspektorëve, si dhe ndërlidhjes së arsimit me tregun e punës duke e zgjeruar atë në kuadër të arsimit dual, që tashmë ka gjithsej 12 profile, të cilat po gjejnë zbatim në 21 shkolla, në 14 komuna të Kosovës.
Në shëndetësi, prioritet do të kenë investimet në pajisje moderne dhe infrastrukturore, shtimi i shërbimeve në institucionet publike shëndetësore, dhe sistemi informativ shëndetësor. Vitin që lamë pas shtuam disa shërbime të reja si sedacioni inhalator në stomatologji; ultrazëri endoskopik; shërbimi falas për rikonstruktimin e gjirit për pacientët e prekur nga kanceri, dhe diagnostikimi i retinopatisë te foshnjat e lindura parakohe me pajisjen e re në Klinikën e Oftalmologjisë. Kurse nga java e kaluar, për herë të parë filloi ofrimi i shërbimit të implanteve dentare në Qendrën Stomatologjike Universitare të Kosovës. Shërbimet e reja si këto i sigurojnë qëndrueshmëri institucioneve publike shëndetësore, ndërkaq qytetarëve shërbime cilësore, me çmim të përballueshëm.
Sa i përket infrastrukturës rrugore, vitin 2024 do të jetë vit i përfundimit të disa projekteve të vjetra dhe fillimi i disa të reja. Autostrada Prishtinë-Gjilan dhe rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, Dollc-Gjakovë, e Drenas-Skenderaj pritet të finalizohen sivjet. Paralelisht, do të fillojë puna në autostradën Bresalc-Dheu i Bardh, në rrugën Kijevë-Zahaq, në rrugën nga autostrada “Ibrahim Rugova” deri te hyrja në tunelin e rrugës Prizren-Tetovë, dhe në rrugën Drenas-Kroni i Mbretit. Kurse sa i përket infrastrukturës hekurudhore, këtë vit pritet që të bëhet hartimi i projekteve kryesore të linjave hekurudhore Prishtinë-Pejë dhe Klinë-Prizren, si dhe përfundimi i studimit të fizibilitetit dhe projektit ideor të linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës. Ndërkaq, sot pasdite, së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimin Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu do të marrim pjesë në ceremoninë zyrtare pas hapjes së korridoreve ajrore me Republikën e Shqipërisë, prioritet do ta kemi për të dhe ministrinë e tij, që këtë vit të jetë edhe hapja e korridoreve ajrore edhe me Malin e Zi.
Ministria e Zhvillimit Rajonal këtë vit do të përqendrohet në kompletimin e kornizës ligjore dhe funksionalizimin e mekanizmave për zhvillim rajonal dhe rritjen e nivelit të zhvillimit socio-ekonomik. Kjo do të bëhet nëpërmjet hartimit të programit për zhvillim rajonal të balancuar dhe studimit të fizibilitetit për rajone zhvillimore me qëllim identifikimin e investimeve strategjike me ndikim socio-ekonomik rajonal.
Ju faleminderit e punë të mbarë!
Blinken synon të vazhdojë punën për përfundimin e konfliktev...
Osmani ndan fotografi nga diskutimet me liderë në samitin e ...
Bisedë e gjatë mes tyre, çka po i mundon Rovenën dhe Mevlani...
Çfarë ushqimesh duhet të hani kur keni sheqer të ulët në gja...
Nesër mblidhet Komisioni hetimor për tekstet shkollore, inte...
Burimi përfshihet nga paniku dhe ndihet i rrezikuar nga zarf...