Adresimi i plotë i Kurtit në mbledhjen e sotme të qeverisë

11:21 | 12 Korrik 2023
K.B

Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Para fillimit të mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka konfirmuar se të hënën zëvendëskryeministri, Besnik Bislim dhe emisari Miroslav Lajçak janë dakorduar për një marrëveshje që përmban 4 pika për de-eskalim të situatës.

Kurti ka thënë se synimi i takimit ishte që të krijohen parakushtet për fokus në zbatimin e plotë dhe pa kushte të marrëveshjes bazike të arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe aneksin e saj të dakorduar në Ohër më 18 mars, përcjell Arbresh.info

Tutje, Kurti është shprehur se Kosova mbështet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs.

“Bislimi ka arritur një dakordim me emrirasin Lajçak për këto pika. E para zvogëlimi nё masën e 25% tё prezencës policore nё dhe rreth ndërtesave komunale. E dyta Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë. E treta Qeveria e Kosovës do të bëjë një deklaratë publike ku do të mbështes mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore. E katërta ka të bëjë me ftesë që BE do të bëjë për kryenegociatorët për finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrëveshjen drejt Normalizimit”, tha Kurti.

Më poshtë adresimi kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e 151-të të Qeverisë:

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,

Të dashur qytetarë,

Më lejoni që para jush të adresoj dy çështje sot. Njëra ka të bëjë me preukupimin dhe angazhimin tonë së fundmi, pra deeskalimin e situatës në katër komunat në veri të vendit dhe tjetra me prioritetin dhe fokusin tonë të përhershëm, reformën në sistemin e drejtësisë.

Të hënën në Bratislavë të Sllovakisë, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Synimi i takimit ishte që të krijohen parakushtet për fokus në zbatimin e plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike.

Është fjala pra për Marrëveshjen Bazike të arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe aneksin e saj të dakorduar në Ohër, më 18 mars të këtij viti e që përbën pjesë integrale të Marrëveshjes.

Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri Bislimi ka arritur një dakordim me emisarin e Bashkimit Evropian, Lajçak për këto pika:

1. Qeveria e Kosovës e shpall publikisht gatishmërinë e saj për të punuar në drejtim të de-eskalimit të situatës, si dhe për të mos ndërmarrë hapa që mund të eskalojnë situatën në veri të vendit tonë. Kjo gjë nënkupton edhe reduktimin e menjëhershëm të 1/4 të policëve që gjenden brenda ndërtesave komunale apo në afërsi të tyre. Pra, 25% e policëve do të zhvendosen diku tjetër në po ato komuna dhe do të vazhdojnë detyrën atje ku ka më shumë nevojë për ta, meqenëse konsiderojmë se pranë ndërtesave komunale situata tash e dy javë është krahasimisht shumë më e qetë.

2. Policia e Kosovës, në varësi të rrethanave, bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in do ta vlerësojnë gjendjen e sigurisë, me synimin që eventualisht të shihen mundësitë për zvogëlim të mëtejshëm të pranisë policore në ndërtesat komunale apo në afërsi të tyre. Kjo ishte kërkesë e jona që nga fillimi, duke qenë se sundimin e ligjit dhe qetësinë e sigurinë, i shohim si interes i përbashkët i të gjitha palëve.

3. Qeveria e Kosovës do të bëjë një deklaratë publike ku mbështetë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në ato komuna. Kjo do të ndodhë pas stinës së verës dhe natyrisht, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor. Ne me këtë rast kemi shprehur përkushtimin tonë që të sigurohet baza e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme komunale. Për ne, si Qeveri e Kosovës ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë me rëndësi që qytetarët e Republikës, kudo që ata janë, pa dallim, të kenë përfaqësim lokal që i përfaqëson siç duhet. Por për të arritur këtë gjë është e domosdoshme të krijohet ambienti i cili e mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik, pjesëmarrjen e komuniteteve lokale, dhe që garanton paprekshmërinë e votës. Në këtë kontekst duhet të interpretohet edhe rëndësia që Qeveria jonë ia jep sundimit të ligjit në secilën pjesë të vendit. Nuk mund të bëjmë kompromis me sundimin e ligjit, sepse ajo do të cenonte rëndë demokracinë.

Ligji mbi politikën është definicioni adekuat i demokracisë në kontekstin tonë aktual.

4. Pika e fundit e dakordimit në Bratisllavë ka të bëjë me ftesën që Bashkimi Evropian do të dërgojë, për dy kryenegociatorët. Këta do të ftohen në Bruksel që të finalizojnë planin e sekuencimit, apo thënë ndryshe tabelën e implementimit, për Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve. Pas finalizimit të planit të sekuencimit do të fillojë menjëherë zbatimi i të gjitha neneve të Marrëveshjes.

Unë kam nënvizuar në vazhdimësi se për suksesin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike:

Së pari, të dy palët duhet ta pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, gjë që nuk ka ndodhur ende nga pala serbe.

Së dyti, që marrëveshja duhet të zbatohet në plotni, gjë që me gjasë ende nuk është e qartë për njërën nga palët.

Së treti, që zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet.

Dhe së katërti, që, të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian.

Si përfundim besoj që dakordimi i Bratislavës do të ndihmojë shumë në përforcimin e fokusit dhe vendosjen e barazisë midis palëve, që ndihmon zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike dhe të Aneksit të saj.

Të dashur qytetarë,

Shteti i së drejtës nuk ka alternativë. Reforma në Drejtësi me qëllim të pavarësimit, profesionalizmit, dhe rritjes së efikasitetit në ndarjen e drejtësisë, është prioritet i yni. Puna për jetësimin e saj, nuk ka reshtur për asnjë moment, që prej ditës së parë të qeverisjes sonë.

Menjëherë pas dritës së gjelbër të Komisionit të Venecias për Vetingun në Drejtësi, ne kemi përgatitur e përpiluar amandamentet kushtetuese për këtë qëllim. Ka më shumë se katër muaj që jemi në pritje të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nëse këto amandamente janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës sonë. Urojmë që kësaj pritje t’i vijë fundi së shpejti, sepse rruga është e gjatë.

Kemi miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar. Por, që nga 21 shkurti i këtij viti, mbetet i bllokuar në Gjykatën Kushtetuese pas kontestimit të tij nga opozita. Kanë kaluar gati pesë muaj. Ende pa përgjigje. Edhe për këtë urojmë të kemi një vendim së shpejti, sepse Byroja do të ketë shumë punë para vetes.

Reformë po aq e rëndësishme, është edhe ajo në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Siç jeni në dijeni, pavarësisht opinioneve pozitive nga Komisioni i Venecias, dhe hartimit të tij në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare, Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për KPK-në.

Megjithëkëtë, pas një procesi konsultues më të gjithë akterët, përfshirë shoqërinë civile dhe partnerët tanë, sot do të shqyrtojmë edhe projektligjin e ndryshuar për Këshillin Prokurorial, në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës. Projektligji me ndryshimet e parapara, do të jetësojë reformën në Këshillin Prokurorial. Përmes këtij synohet eliminimi i grupeve të interesit dhe korporatizimit brenda Këshillit Prokurorial, eliminimi i ndikimeve politike dhe të tjera në sistem si dhe të synohet përmbushja e mandatit kushtetues të Këshillit Prokurorial.

Pra, na kanë vonuar pak, por ne nuk jemi shpërqendruar aspak. Me projektligjin e ri që do t’ia përcjellim Kuvendit sot, po e vazhdojmë rrugën tonë drejt reformave në drejtësi. Me bindje të njëjtë, e me vullnet edhe më të madh.

Ju faleminderit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme