Google ADS

Adresimi i plotë i Kurtit në mbledhjen e sotme

14:23 | 27 Dhjetor 2023
A Z

Jemi në javën e fundit të vitit 2023. Kjo është mbledhja e fundit e Qeverisë sonë për këtë vit. Gjithsej me këtë të sotit i kemi mbajtur 62 mbledhje në 2023. Në këtë sallë e përmes votimit elektronik janë miratuar 525 vendime, pa llogaritur këtu edhe vendimet që janë në rend të ditës sot. Së bashku kemi dhënë pëlqimin për 63 emërime; mbështetjen për 16 koncept-dokumente; miratimin për 66 projektligje dhe 5 nisma legjislative; aprovimin për 22 projekt-rregullore dhe 7 udhëzime administrative; si dhe votën për 346 vendime tjera.

 Për secilin prej tyre, udhërrëfyes e kemi pasur programin qeveritar. Përfitues përfundimtar ka qenë përherë qytetari. Synimi gjithmonë ka qenë zhvillimi i vendit dhe fuqizimi i shtetit.

 Në fillim të vitit ndamë shtesat për stafin shëndetësor dhe punëtorët e sektorit publik. Kurse në fund të vitit, para dy jave, ndamë shtesa për fëmijët nën moshën 16 vjeçare dhe të gjithë pensionmarrësit. Ndërmjet këtyre  morëm vendimin për pagesën për 590 specializantë me vetëfinancim, dhe ndamë mjetet për të subvencionuar të gjithë punëdhënësit në sektorin privat të cilët i kanë rritur pagat për punëtorët e tyre.

 U kemi dalur në krah bizneseve përgjatë gjithë vitit, sidomos atyre prodhuese dhe përpunuese, e veçanërisht për qasje në financa por jo vetëm. Teksa për herë të parë miratuam Strategjinë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030.

 Kur jemi përballur me krizën energjetike, nga këtu i kemi ndarë mjetet e nevojshme për subvencionim të energjisë elektrike, për subvencionim të kursimit dhe të pajisjeve efiçiente. E kemi Miratuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike, nga i cili do të përfitojnë të gjitha familjet që kanë të hyra mesatare mujore më pak se 150 euro për anëtar të familjes. Për familjet me asistencë sociale, në prag të dimrit që na pret, ndamë mbështetje të njëhershme për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje nga e cila kanë përfituar mbi 20 mijë familje.

 Me vendimet e shpronësimeve mundësuam fillimin e punimeve në rrugën nacionale, Prishtinë-Podujevë; siguruam vendin për ndërtimin e Parkut Solar për prodhimin e energjisë elektrike me kapacitet prej 100 MË; krijuam hapësirën për rikonfigurimin dhe renovimin e stadiumit Adem Jashari në Mitrovicë; i dhamë dritë të gjelbër zgjerimit të Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, kurse për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes ia dhamë parcelën e njësisë së “Damperit” në Therandë, ndërkaq punëtorëve të ish-fabrikës “Ballkani” kompensimin që u takonte për vite.

 Në 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, miratuam kushtet për shpalljen e procedurës së prokurimit për Projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Për përfaqësim të drejtë e të duhur të historisë heroike, flijimit e kontributit të pashoq të Familjes Jashari për çlirim.

 Në prag të shënimit të Ditës së Personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, iniciuam aderimin e Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), për t’u anëtarësuar përfundimisht në muajin korrik.

 Pas më shumë se dy dekada, ka nisur rindërtimi dhe renovimi i shtëpive në veri të vendit të dëmtuara gjatë viteve 1998-99, sepse këtu në Prishtinë ishim të vendosur që kjo gjë të bëhet.

 Këtë vit për herë të parë kemi ndarë fond të veçantë, në vlerë prej tre milionë euro për komunitetet jo-shumicë me të cilat u financuan 259 grante për fermerë, start-ups dhe OJQ, me qëllim nxitjen e punësimit te këto komunitete. E, në vitin e ardhshëm, Ministria për Komunitete dhe Kthim, e cila sivjet ka bërë më shumë sesa të gjitha vitet e mëhershme marrë së bashku, do të jetë ministria me rritjen më të madhe të buxhetit. Por natyrisht kjo pas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që për shkak të organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030 ka ndarje më të madhe buxhetore.

 U kujdesëm edhe për bashkëkombësit tanë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Këtë vit, ndamë mjete buxhetore për Mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të tyre për të avokuar në qendrat e mëdha vendimmarrëse. Krahas kësaj, ndamë edhe një çerek milioni euro për t’i pajisur nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc me tekste mësimore në gjuhën shqipe.

 E miratuam një prej projektligjeve më të rëndësishme në fushën e shëndetësisë. Me ligjin për Çmimin e Produkteve Medicinale, me ligjin e ri që tashmë është votuar edhe në Kuvend, do të kemi barna të nevojshme me kosto të përballueshme për qytetarët dhe institucionet e Republikës.

 I dhamë pëlqimin tonë një Projektligji tjetër me rëndësi, tash Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, që ndër të tjera mundëson votimin e mërgatës në hapësirat e ambasadave dhe konsullatave të Republikës sonë. Me votën në Qeveri, dhe pastaj votën e shumicës në Kuvend, i qëndruam besnik fjalës sonë të dhënë.

 Kurse me plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, shtuam skemën Pensionale Parciale Kontributive për pensionistët që u patën përjashtuar nga puna gjatë viteve e 90-ta si rezultat i masave të dhunshme.

 E për shkak se përkushtimi ynë për reformim të sistemit të drejtësisë është i lartë dhe vendosmëria jonë është e palëkundur pavarësisht pengesave e vonesave, edhe një herë miratuam Projektligjin për Këshillin Prokurorial. Pasi që ligji i parë na u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

 Në vitin 2023, më shumë se asnjëherë më parë prej pavarësisë, është bërë e qartë rëndësia e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së Republikës, sidomos përballë një Serbie agresore. Në këtë drejtim miratuam edhe Strategjinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, modernizimin e kapaciteteve ushtarake dhe avancimin e bashkëpunimit me NATO. Ndërkohë që ushtrinë e bëmë më të fortë sepse ia ndamë buxhetin më të lartë ndonjëherë, mbi 200 milionë euro në 12 muaj apo mbi 2% të Bruto Produktit Vendor sipas kriterit të shteteve  anëtare të NATO-s.

 Për fund dua të ju falënderoj secilin prej juve dhe secilin nga anëtarët e kabineteve tuaja të nderuar kolegë dhe ekipeve tuaja, pra për punën e përditshme, për propozim-vendimet e çdo javëshme dhe angazhimin tuaj në këta 12 muaj. E puna vazhdon me rendin e ditës sot në të cilin e kemi para vetes me 39 pika.

 Por para kësaj, më lejoni të shtoj edhe diçka për sa i përket vendimit të Serbisë për të pranuar targat zyrtare të Republikës së Kosovës për vetura. Ndonëse i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar ndërmjet dy shteteve, dua të theksoj se ky vendim fillimisht po vjen pas një moszbatimit më shumë se 10 vjeçar të marrëveshjeve paraprake; përdorimi dy vjeçar të çështjes së targave nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të vendit tonë; dhe tash së fundmi si përpjekje për të ulur kritikat nga komuniteti ndërkombëtar mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e dhjetorit atje.

 Pra, targat në Kosovë në shtator të vitit 2021,  përdoreshin për të kërcënuar Kosovën edhe përmes aeroplanëve Mig29 të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit sidomos nëpërmjet 16 barrikadave të cilat  ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit të kaluar. Kurse në dhjetor sivjet, pra në muajin që ndodhemi po përdoren për të ulur presionin nga perëndimi demokratik Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  mbi Serbinë për zgjedhjet jo të rregullta dhe jodemokratike, për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit që i ka bërë letra e Kryeministres së Serbisë Bërnabiq drejtuar Këshillit të BE-së me 13 dhjetor, dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë me 24 shtator. Kështu duhet lexohet ky veprim i Serbisë, që më shumë se konstruktivitet dhe hap drejt normalizimit mbi bazën e shkronjës dhe frymës së Marrëveshjes Bazike, është një manovër e radhës, jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd.

 Në anën tjetër, gjatë gjithë kësaj kohe, qëndrimi ynë për sa i përket çështjes së targave ka qenë i mbështetur në parimin e reciprocitetit.

 Do të vazhdojmë të jemi parimor dhe konstruktiv. Vendimin tonë të barazvlefshëm si çështje e marrëdhënieve reciproke ndërshtetërore, do ta marrim sapo që Policia jonë kufitare të dokumentojë dhe vërtetojë se Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj. Ne besojmë se kjo qasje është e drejtë përveçse e arsyeshme. /Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme