Është mbajtur mbledhja e 154-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Para fillimit të mbledhjes, kryeministri i vendit, Albin Kurti i ka uruar mirëseardhje ministrit të ri të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci duke i uruar punë të mbarë.
Gjithashtu, Kurti nuk la pa e falënderuar ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehajn i cili dje ka dhënë dorëheqje për sipas tij shkaqe familjare, shkruan Arbresh.info.
Pas vrasjeve që tronditën vendin ditë më parë, Kurti theksoi se drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e ngadaltë dhe joefikase.
Më poshtë mund ta gjeni adresimin e plotë të Kurtit në mbledhjen e Qeverisë:
Fillimisht le t’i urojmë së bashku mirëseardhje anëtarit tonë më të ri të kabinetit, kolegut tonë të ri, Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Punë të mbarë. E falënderoj edhe njëherë përzemërsisht për kontributin, angazhimin dhe dedikimin e të pashoq, ish-ministrin Armend Mehajn, ndërkaq bashkëshortes së tij i dëshiroj shërim të plotë dhe të shpejtë.
Janë të shumta rastet kur si pasojë e mosveprimit të sistemit të drejtësisë, persona të ndryshëm me precedentë të shumtë penalë, lëvizin lirshëm, qoftë të liruar nga organet apo edhe të pandjekur fare penalisht, e të cilët rrezikojnë dhe marrin jetën e qytetarëve tanë.
Edhe raporte të ndryshme kredibile vendore dhe ndërkombëtare, konstatojnë se drejtësia jonë vazhdon të jetë jo-efikase dhe e ngadaltë dhe të përshkruhet me fenomenin e rasteve të shumta në rigjykim dhe vendimeve jo të duhura ndëshkimore.
Nuk mungojnë edhe rastet më ekstreme, madje tashmë të njohura edhe për publikun, kur nga dënimi me burgim të përjetshëm të shqiptuar në shkallë të parë, instanca e fundit, Gjykata Supreme, kishte liruar tërësisht nga akuza të pandehurin, në një proces maratonik gjyqësor, të gjykuar dhe rigjykuar.
Në shumë raste, kur ndodhë një krim, po duhet të ngritet shoqëria në mënyrë që të kemi vendim meritor nga Gjykata. Shembull është rasti i fundit me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm të vrasësit të së ndjerës Marigona Osmani, pra Dardan Krivaqa. U dashtë një shoqëri e një popull i tërë ta dënojë publikisht krimin, në mënyrë që Gjykata të mund ta nxjerrë një verdikt meritor.
Vendimet meritore të sistemit të drejtësisë kanë ndikim të dyfishtë në shoqërinë e çdo vendi. Përveçse sjellin drejtësi për viktimat dhe të dëmtuarit, ato diktojnë edhe parashikueshmërinë e pasojave të çdo veprimi jo të ligjshëm e penal, duke ndikuar kështu edhe në parandalimin e krimeve.
Niveli i besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë, vazhdon të jetë ndër më të ulëtit në krahasim me institucionet e tjera.
Sipas Raportit të UNDP dhe USAID – Pulsi Publik, i publikuar këtë vit, teksa niveli i kënaqshmërisë për Qeverinë është rritur në mbi 50%, për organet gjyqësore dhe ato prokuroriale trendi i tillë vazhdon të jetë i ulët. Sipas po këtij raporti, kënaqshmëria e qytetarëve për performancen e sistemit të drejtësisë – gjykata dhe prokurorinë është vetëm 29%.
Sipas statistikave të gjyqësorit, gjatë vitit 2022 Gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim plotë 1,754 raste. Ky raport e rëndon sistemin e drejtësisë, e ngulfat atë, e vonon drejtësinë, e humb besimin e qytetarëve, dhe si efekt përfundimtar, në mungesë të ndëshkueshmërisë efikase, rrezikon të inkurajojë krimin dhe kriminalitetin.
Andaj, reforma është domosdoshmëri e vettingu është zgjidhja. Tash e 5 muaj jemi në pritje që Gjykata Kushtetuese t’i hap sa më shpejtë rrugë jetësimit të kësaj reforme. E koha po kalon. Koha që kalon është kohë e humbur.
Këtë javë, të nderuar kolegë të kabinetit qeveritar e të dashur qytetarë, po ashtu pati edhe një zhvillim pozitiv për Republikën e Kosovës, në rrafshin ndërkombëtar. Përmes një letre drejtuar Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel, dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, mbi 50 deputetë, në mesin e tyre edhe senator e kongresistë amerikanë, 10 kryetarë të komisioneve parlamentare të politikave të jashtme të 16 shteteve, përfshirë edhe Ukrainën, kanë shprehur mbështetjen e tyre për Kosovën dhe kanë bërë thirrje për qasje më të ashpër ndaj Serbisë dhe rrezikut që veprimet e saj paraqesin për sigurinë e rajonit tonë.
Ne i jemi falënderues të gjithë përfaqësuesve politikë që i janë bashkuar kësaj thirrje të përbashkët dhe e mirëpresim secilin nënshkrim dhe mbështetje të radhës. Ky lloj i mbështetjes na e forcon përkushtimin tonë për de-eskalim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci, dhe bindjen për ligjshmëri e kushtetutshmëri.
Në BE s’ka pajtim për hapjen e kapitujve për anëtarësim me S...
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vje...
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...