Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.
Në fillim të mbledhjes shefi i ekzekutivit ka folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Kurti, ka thënë se Republika e Kosovës nuk pranon që anëtarësimi në Këshill të Evropës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kemi punuar parreshtur dhe kemi bërë çdo veprim për të plotësuara standardet, kriteret, kushtet e parakushtet për t’u bërë anëtare të KiE. Qeveria nuk e ka pranuar draftin e propozuar nga emisari Miroslav Lajcak sepse ai është refuzuar me 26 tetor 2023, e dy ditë para kësaj, unë kam dorëzuar vërejtjet e mia kapitale për atë draft-statut, pra me 24 tetor. Dhe e dyta, Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve bisedojmë në Bruksel, jo në Strasburg. Neni 7 i marrëveshjes bazike edhe në ndërlidhje me nenin 10 nuk mund të nxjerret jashtë marrëveshjes, nuk mund të vendoset në qendër të saj dhe as sipër saj si një çështje urgjente”, ka theksuar Kurti, shkruan Arbresh.info
Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 203-të të Qeverisë
Në shtator të vitit 2022, me kërkesë të Presidencës irlandeze të Komitetit të Ministrave, Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës dha opinionin pozitiv mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim, duke konstatuar se nuk ekziston asnjë pengesë ligjore që Kosova të bëhet anëtare e plotë, sipas nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës. Pra, si shtet evropian.
Që nga muaji shtator i vitit 2022, Republika e Kosovës ka kaluar në një periudhë të vlerësimit të kushtetutës së saj, sistemit ligjor dhe të drejtave të minoriteteve nga instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës.
Në nëntor të vitit 2023, pas vizitës fakt-mbledhëse në Kosovë dhe analizave të detajuara, Juristët Eminentë publikuan raportin e tyre, ku theksuan që Kosova i plotëson të gjitha standardet për t’u bërë anëtare në Këshillin e Evropës. Madje, në rastin e Kushtetutës, ata thanë se ajo i tejkalon standardet ndërkombëtare.
Në mars të vitit 2024, raportuesja Dora Bakoyannis shpërndau raportin e saj, ku konfirmoi që Kosova, pas zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e Manastirit të Deçanit, ka plotësuar të gjitha parakushtet për anëtarësim dhe duhet të ftohet të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, pa parakushte shtesë.
Në prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me një votim të fuqishme prej 82%, me ç ‘rast 131 ishin në favor dhe 29 kundër, i rekomandoi Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e plotë e organizatës.
Në njërën anë, Kosova po përparon nga viti në vit në indekset e demokracisë, sundimit të ligjit, reformës në drejtësi, lirive civile e të drejtave politike, të vlerësuara nga institucione prestigjioze të pavarura ndërkombëtare. Në anën tjetër, kemi një sistem ligjor me të drejta të avancuara për minoritetet dhe një Kushtetutë, e cila ka përbrendësuar njëanshëm obligimet që dalin nga instrumente të Këshillit të Evropës, si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa për të Drejtat e Minoriteteve, dhe Konventa e Stambollit. Këto na e kanë bërë të lehtë kalimin me sukses në të gjitha fazat e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Pas tërë këtij rrugëtimi të shoqëruar me progres të vazhdueshëm në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundim të ligjit dhe vlerësime pozitive nga vet Këshilli i Evropës, në këto javët e fundit u përballëm me një kusht të ri, i cili nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë. Pas kushtit që të zbatohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, kusht ky që hyn në shtyllën e sundimit të ligjit në kuadër të Këshillit të Evropës, ne dëgjuam se ka kryeqytete, që tash po kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ky dokument i sjellë te ne nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, së bashku me këshilltarët diplomatikë të shteteve të QUINT-t, nuk u pranua me 26 tetor të vitit të kaluar. Kosova ka ofruar, që ai dokument të bëhej pjesë e pakos së Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, që është pjesë integrale e tij dhe të nënshkruhet për t’u bërë ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm. Por, u pat refuzuar nga Serbia. Refuzimi nuk është pranim. Refuzimi është refuzim. Nëse me datë 26 tetor 2023 do të pranohej e nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel, vetëm atëherë ai draft statut do të mund të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Draft statuti i Lajçakut dhe emisarëve të tjerë të Quint-it, si dokument dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si i tillë është një jo-dokument, pra një non-paper. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente, të cilat nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare në Gjykatë Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde.
E përkundër kësaj, tri herë përgjatë procesit u tentua që të futej kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim. Dy herë në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, më 27 mars në Paris dhe me 16 prill në Strasbourg, e po ashtu gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme po atë ditë, por që të tri herat u refuzuan! Kërkesa, e cila po shtyhet si kushtëzim për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, jo vetëm që nuk është parimore e vlerore, por ajo tashmë është refuzuar tri herë nga vetë instancat e Këshillit të Evropës.
Kosova ka aplikuar të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, sepse ne besojmë dhe përqafojmë vlerat themelore që kjo organizatë mbron dhe promovon: demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
Me datë 22 mars sivjet, pra 2024, kur po shënonim trevjetorin e zgjedhjes së qeverisë sonë, bashkë me Presidenten e Kosovës, Kryetarin e Kuvendit dhe unë si Kryeministër i Republikës, pra tre krerë institucionesh të shtetit, të nivelit më të lartë, dhamë një letër garantuese me zotime tonat për të ardhmen, pas anëtarësimit, tamam siç na u kërkua. Natyrisht që ne nuk mund të themi që garancat tona të nivelit më të lartë nuk janë garanca të vlefshme. Më shumë se ajo letër nuk mund të kërkojë askush.
Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga shtetet, të cilat deri më tani nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, por assesi dhe asnjëherë nuk e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike, të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim, e më herët ishin krahë nesh për çlirim e pavarësim.
Plotësimi i kritereve për anëtarësim në Këshill të Evropës, që mori 82% të votave të Asamblesë së Parlamentare, 25 vjet pas gjenocidit të Serbisë ndaj Kosovës dhe 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë, është moment i festimit të arritjeve dhe moment krenarie për çdo qytetar të saj dhe për të gjithë aleatët, miqtë dhe mbështetësit e Kosovës.
Mungesa e përkrahjes është për keqardhje. Nuk do t’i ndihmojë normalizimit e dialogut dhe nuk i kontribuon demokracisë, paqes dhe sigurisë.
Të dashur qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Qeveria ka punuar pa reshtur dhe ka bërë çdo veprim për të plotësuar standardet, kriteret, kushtet e parakushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Ne duam anëtarësim meritor, sepse konsiderojmë që ne e meritojmë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, me qenë se ndajmë vlerat e përbashkëta dhe plotësojmë standardet e kërkuara.
Anëtarësimin në këtë organizatë e shohim sidomos për nga përfitimet që sjellë për qytetarët, veçanërisht për komunitetet joshumicë, duke ju dhënë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo e drejtë dhe kjo mundësi nuk bën të kufizohet dhe refuzohet duke vonuar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Më lejoni të përsëris se qeveria:
a) Nuk e ka pranuar draftin e propozuar nga emisari Lajçak, sepse ai është refuzuar me 26 tetor 2023, e dy ditë para kësaj unë kam dorëzuar vërejtjet e mia kapitale për atë draft-statut, pra me 24 tetor dhe e dyta,
b) Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel, jo në Strasbourg. Neni 7 i Marrëveshjes Bazike edhe në ndërlidhje me nenin 10, nuk mund të nxjerrët jashtë marrëveshjes, nuk mund të vendoset në qendër të saj dhe as sipër saj si një çështje urgjente.
Të nderuar ministra e zëvendësministra,
I nderuar zëvendëskryeministër,
Të dashur qytetarë,
Mbledhja e sotme do të ketë më shumë se 20 pika. Në mesin e tyre kemi projektligje, projekt rregullore, udhëzime administrative e propozim-vendime tjera, që rregullojnë e trajtojnë shumë fusha. Duke filluar nga aktiviteti bankar në vendin tonë, përmes Projektligjit për Banka, te mbrojtja, siguria fizike dhe administrimi i informacionit të klasifikuar nëpërmjet projekt-rregulloreve të sponsorizuara nga Zyra e Kryeministrit. Për të vazhduar me përcaktimin e rregullave dhe procedurave për mbulimin e shpenzimeve për shërbimet edukative, shëndetësore për fëmijë me aftësi të kufizuara dhe mënyrat e bashkëpunimit institucional me organizata joqeveritare për realizimin e politikave për të drejtat dhe ofrimin e shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve. E për këto dy të fundit, do të na flasë Ministria e Drejtësisë pak më vonë.
Në gjysmën e dytë të rendit të ditës, agjendës së mbledhjes së sotme, ndër të tjerash në votim do ta kemi kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për t’ia dhënë në shfrytëzim Komunës së Gjilanit parcelën prej 5000 metra katrorë, ku planifikohet të ndërtohet Shkolla e Mesme e Mjekësisë dhe Objekti për Qëndrim ditor për të Moshuarit. Do të votojmë për shpronësimin përfundimtar të pronave, të cilat preken nga ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë, përkatësisht segmenti Struzhë-Kyçja me Autoudhën “Ibrahim Rugova”, segment ky i rëndësishëm për një lidhje tejet të rëndësishme për qytetarët e dy shteteve tona. Për trajtim, do ta kemi edhe propozimin përfundimtar për shpronësimin e pronës për ndërtimin e “Sheshit Qendror të Qytetit” në Rahovec, si dhe shpronësimin e pronave për projektin “Krijimi i hapësirave për lëvizshmërinë e trafikut dhe këmbësorëve” në Prizren.
Në fund, në votim do të kemi marrëveshjen për Shërbime Ajrore me Qeverinë e Mbretërisë së Arabisë Saudite, përmes së cilës synojmë shërbime ajrore ndërkombëtare më efikase dhe konkurruese, që rrisin tregtinë, mirëqenien e konsumatorëve dhe ndikojnë në rritjen ekonomike dhe projektligjin për Ofruesin e Shërbimeve të Navigacionit Ajror lidhur me përgjegjësitë e ofrimit të shërbimeve të kontrollit të navigacionit ajror për çdo fluturim dhe aktivitet që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Ju faleminderit.
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”