Adi Krasta jep dorëheqje nga pozita e zëvendësdrejtorit në RTK, anulohet konkursi për drejtor të përgjithshëm

17:29 | 28 Tetor 2024
E.H

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhje, në të cilën është pranuar dorëheqja e pakthyeshme e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm, Adi Krasta.

Sipas një njoftimi për media, RTK bënë të ditur se është anuluar konkursi për drejtor të përgjithshëm, përcjell Arbresh.info.

“Bordi i RTK-së, në mbledhjen e sotme të tij, ka shqyrtuar pikën e rendit të ditës mbi votimin për hapjen e zarfave për konkursin e drejtor të përgjithshëm. Gjatë diskutimeve, zyrtari ligjor ka sqaruar të gjithë bazën ligjore për të trajtuar këtë proces më tej, duke theksuar se tejkalimi i afatit paraqet bazë për anulimin e konkursit, kjo për të mos cenuar ndonjë të drejtë të aplikuesve ose procesin e rregullt të konkursit. Me këtë rast, anëtarët e Bordit, me shumicë votash, kanë votuar kundër hapjes së zarfave pas kalimit të afatit të përcaktuar, duke anuluar kështu procesin e konkursit për drejtor të përgjithshëm”, thuhet në njoftim.

“Në këtë mbledhje, gjithashtu, kryetarja njoftoi anëtarët e Bordit se ka pranuar zyrtarisht letrën e dorëheqjes së pakthyeshme të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm, Adi Krasta, dhe shprehu falënderimet e sinqerta për punën dhe kontributin e tij të vlefshëm në Radio Televizionin e Kosovës”, thuhet mes tjerash në njoftim./Arbresh.info

Të ngjashme