Nesër pritet të mbahet tentimi i katërt për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit për zgjedhjen e kryeparlamentarit, që do të udhëhiqet nga kryesuesi, deputeti më i moshuar i përbërjes së re parlamentare Adem Mikullovci. Ky i fundit po premton befasi për seancën e nesërme, nëse Kuvendi arrin që ta bëjë kuorumin e nevojshëm për vazhdimin e seancës.
I kontaktuar nga Gazeta Express, kryesuesi Mikullovci ka bërë të ditur se seanca e nesërme do të zhvillohet me apo pa koalicionin PAN. Ai thotë se shpreson se ky i fundit do t’i përgjigjet ftesës për pjesëmarrje në seancë.
Mikullovci shprehet i vendosur se nuk do të bëjë konsulta ditën e mërkurë, siç ka kërkuar PAN në takimin konsultativ që u mbajt të mërkurën e kaluar.
Megjithatë, Mikullovci për Express ka treguar se për seancën e nesërme do të ketë dy propozime interesante. Propozime këto të cilat, sipas tij, do t’ia mundësonin Kuvendit që të punojë, të paktën një pjesë e tij.
“Nëse nesër kemi kuorum, unë do t’i hap dy tema, por Kuvendi do të punojë gjysmak, por një pjesë do të punojë, nëse vërtet ka kuorum. Do të jetë një propozim interesant i një deputeti të LDK’së, ai ma ka kërkuar dhe një temë timen që do ta bëj publike e që do të jetë befasuese. Gjithmonë nëse kemi kuorum”, ka thënë kryesuesi Mikullovci për Express, të dielën.
Ndërkohë ai deklaroi se nuk do të ketë më takime konsultative me liderët e koalicioneve dhe partive tjera. Thotë se të gjithë janë të mirëseardhur në seancën që do të mbahet nesër, e nëse seanca e së hënës dështon, atëherë Mikullovci paralajmëron një seancë tjetër ditën e enjte. Mikullovci shprehet se asnjëherë nuk e ka shkelur ligjin dhe se ka vepruar në bazë të Kushtetutës së vendit.
“Me rregullore të Kuvendit nuk ka kurrfarë bisedash përpara, e as konsultime. Ato nuk kanë vlerë e as peshë juridike, përpos seancës ku propozohet kryetari i Kuvendit. Kështu që kur disa po më kritikojnë që e kam thyer ligjin, unë e kam thyer ligjin vërtet që kam bërë konsultime me ta. E nuk po e thyej Ligjin që s’po bëj konsultime me ta. Ata ma kanë kërkuar një konsultim, unë i kam mbajt tri konsultime me ta, e kanë kërkuar të katërtin, por unë më nuk bëj konsultime me ta. Unë e ftoj seancën, ata le të urdhërojnë. Por unë gjithmonë do veproj në bazë të ligjit, asnjë pikë nuk largohem nga ligji”, ka deklaruar tutje Adem Mikullovci.
Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se për të hënën në ora 10:00 është thirrur vazhdimi i seancës konstituive. Seanca ka vetëm një pikë të rendit të ditës, atë të zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe të nënkryetarëve.
Koalicioni fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, PDK-AAK-NISMA, të cilëve edhe u takon propozimi i kryeparlamentarit, ka paralajmëruar se do ta bojkotojë edhe këtë seancë, sikurse atë të 10 gushtit.
Ndërkohë, i nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë 10 ditëve të ardhshme pritet që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe më pas të formohet edhe Qeveria e re e Kosovës.
Në rast të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, më pas fillon faza prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë.
Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, kjo e drejtë i takon koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma) si fitues i zgjedhjeve. Për formimin e Qeverisë janë të nevojshme të paktën 61 vota të deputetëve.
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...
Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e fshatit Kopanky të...
Trajneri i Empolit flet për largimin e mundshëm të Ardian Is...
Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, shkak mungesa e k...
BE-ja i bën thirrje Izraelit të pranojë marrëveshjen e armëp...
Raportohet se dy persona nga Podujeva janë arrestuar nga Ser...