Google ADS

Abrashi takohet me Vokrrin, flasin për investime në infrastrukturën sportive

13:03 | 17 Tetor 2017
Arbresh.info

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, është takuar të martën me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrrin me të cilin ka biseduar për investime në infrastrukturën sportive në kryeqytet.

Abrashi i ka prezantuar kryetarit të FFK-së planin e tij për sportin, i cili do të fuqizohet në tri fusha, sporti profesional, sporti shkollor dhe sportin atraktiv-rekreativ, ku moshat e reja dhe të gjithë qytetarëve do t’iu ofrohen mundësitë për veprimtari sportive, si fundament i shëndetit të tyre.

“Prishtina në çdo kohë ka nxjerrë sportistë kulminantë, me kushte minimale. Unë dhe ekipi im, në bashkëpunim të ngushtë me FFK-në dhe federatat tjera, do të krijojmë gjithë infrastrukturën e nevojshme sportive dhe përkrahjen financiare për klubet dhe talentet e të gjitha sporteve në Prishtinë”, ka thënë Abrashi.

Në fushën e sportit profesional Abrashi ka thënë se në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe nivelin qendror do të ndërtohet në Bërnicë stadiumi “Dardania Arena”, sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-së.

Ndërkaq kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri ka thënë se pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA ata kanë mundësi financiare që të ndihmojnë me fonde investimet në infrastrukturën sportive.

Të ngjashme