Abrashi: Shpend Ahmeti po e ngulfat Prishtinën, s’po bën parkingje për qytetarë, por për biznese të mëdha

14:32 | 12 Maj 2018
V. S.

Ish- kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK’së, Arban Abrashi, e ka kritikuar projektin e Shpend Ametit që parasheh zgjidhjen e problemit të vend-parkingjeve. Për Abrashin, ajo që është prezantuar dje, nuk i plotëson nevojat e qytetarëve por vetëm të qendrës tregtare që planifikohet të rregullohet. Parkingu nëntokësor – do të ndërtohet tek Fakulteti Filologjik, me kapacitet për parkimin e minimum 500 veturave.

Deputeti i LDK’së njëherësh kandidat për Prishtinën në zgjedhjet lokale të tetorit, Arban Abrashi e ka komentuar për Gazetën Express projektin për vend parkingje të kryetarit aktual. Thotë se me këtë, kryeqyteti i Prishtinës po ngulfatet edhe më shumë.

“Parkingjet janë më së të nevojshme në Prishtine; por ajo çka kemi parë në prezentim dje, nuk është parking për nevoja të qytetareve”, u shpreh Abrashi.

Projekti i djeshëm, sipas tij, është ndërtimi i një qendre komerciale (tregtare), dhe një parking për nevoja të kësaj qendre,  ndërkaq thekson se ndërtimi i saj po bëhet në hapësirë të gjelbër.

“Me këtë projekt ngulfatet edhe më shume qyteti, ndërtohet një qendër tregtare në hapësirë të gjelbër, dhe ngushtohet edhe me tutje hapësira për student. Pra prap është projekt në favor të bizneseve të mëdha e jo për qytetare”, ka sqaruar deputet i LDK’së.

Ish- kandidati për Prishtinën ka treguar se cila do të ishte zgjidhja më e mirë për parkingjet në kryeqytet. Ai thekoi se projekti i tyre ka qenë një parking nëntokësor pa qendër tregtare dhe kthimi i hapësirës gjelbëruese.

Sidoqoftë, Shpend Ahmeti i cili tash është kryetar i Partisë Social Demokrate dhe i cili e mori besimin e VV’së për ta udhëhequr Prishtinën, tash me këta të fundit janë ndarë jo aq miqësisht.

Ahmeti në një postim në Facebook ka treguar për projektin e parkingjeve dhe se më këtë rast do të mbyllet edhe rruga nga Hoteli ‘Grand’ deri te Katedralja.

“Sot para palëve të interesuara prezantojmë projektin e parkingut të madh nëntokësor para Fakultetit Filologjik. Siç është prezantuar më herët parashihen minimum 500 vendparkime. Rruga prej Hoteit Grand deri te Katedralja do të mbyllet dhe do ta kemi një park të zgjeruar nga Fakulteti Filologjik deri te Katedralja që do ta quajmë Parku Qendror. Ky projekt ka kaluar në Komitetin e Partneritetit Publiko Privat me 16 prill”, ka shkruar ai.

Ahmeti ka shtuar se procedura do të zhvillohet në dy faza: në dy javët e ardhshme do te zhvillohet procedura për parakualifikim (kapacitet financiar, përvoja, menaxhimi etj) dhe pastaj bizneset e parakualifikuara do të mund të ofertojnë për projekt.

Gara për Prishtinën e kishte njxerr fitues për të dytën herë Shpend Ahmetin, ndonëse rezultati me kundërkandidatin e tij Arban Abrashin nuk kishin shumë dallim.

Sipas rezultateve të publikuara në fund të procesit Shpend Ahmeti atëkohë i Vetëvendosjes, i ka marrë 42.262 vota ndërsa Arban Abrashi i LDK-së ka marrë 41.897 vota./GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme