Abrashi çmon punën e mësimdhënësve dhe mjekëve gjatë viteve të 90’ta

11:40 | 18 Tetor 2017
Arbresh.info

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka vizituar të mërkurën shtëpinë e Shaban Sfircës, në të cilën ka qenë e vendosur ambulanca dhe më pas materniteti “Nëna Terezë” në Kodrën e Trimave, gjatë viteve të 90-ta.

Abrashi ka thënë se çmon kontributin e familjes Sfirca dhe shumë familjeve tjera në lagjen e Kodrës së Trimave, të cilat kanë qenë në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës gjatë viteve të 90-ta.

Ai tha se këto shtëpi do ta kenë përkujdesjen e komunës sepse janë simbol i rezistencës së popullit Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, nën udhëheqjen e Presidenti Historik Ibrahim Rugova.

Abrashi gjatë bisedës me familjarët Sfirca dhe personelin e atëhershëm shëndetësor, potencoi se në këtë shtëpi janë realizuar mbi 20 mijë lindje dhe personali mjekësor kanë punuar në kushte jashtëzakonisht të vështira në kohën e okupimit.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën tha se një pjesë të veçantë të kësaj historie të bujshme por edhe unike ishte hapja e Maternitetit në vitin 1996 në Kodrën e Trimave, në një objekt që enkas për këtë e ndërtoi veprimtari Shaban Sfirca.

“Nga kjo kohë, Materniteti gjeti përkrahjen e bashkatdhetarëve tanë, e gjeti përkrahjen e qytetarëve, përkrahjen e lagjes së Kodrës së Trimave dhe përkrahjen e popullit të Kosovës. Puna e tyre e pashoq e profesioniste, sjellja njerëzore bëri që Kosova në tmerret e dhunës dhe të okupimit të organizoj një fushë të veçantë të kujdesit shëndetësor. Materniteti në Kodrën e Trimave është simbol i lindjes së mijëra foshnjave, të cilat sot janë burra e gra të Kosovës”, tha Abrashi.

Ai potencoi se mjekët dhe personeli shëndetësor me punë dhe orvatje të jashtëzakonshme ishin natë e ditë në mbrojtje të jetës, nëpërmjet asistimeve të lindjes së nënave dhe të fëmijëve të tyre, në kushte minimale, por me përkushtim dhe profesionalizëm.

Abrashi ka thënë se pa kontributin e mjekëve, mësimdhënësve dhe personalit tjerët shtetëror të angazhuar 90-ta, do ta kishim vështirë të mbajmë frymën e rezistencës për liri, që atëbotë drejtohej nga Presidenti Rugova.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme