Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka reaguar lidhur me vendimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për anulimin e provimit të noterëve të rinj të vendit.
Haxhiu e anuloi provimin e noterisë ndërsa e quajti atë proces të komprometuar ku shumica e noterëve janë zgjedhur përmes lidhjeve të tyre dhe nepotizmit.
Tahiri tha se është përkujdesur që në komisionin për provimin e noterisë të zënë vend personat më kredibilë e profesional të kësaj fushe, përcjellë arbresh.info.
Reagimi i plotë:
Në agjendën time politike e legjislative gjatë kohës sa kam drejtuar Ministrinë e Drejtësisë, në përputhje të plotë me rekomandimet e Bashkimit Evropian, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe programeve të ndryshme të ekspertëve, kemi punuar në avancimin e qasjes në drejtësi përmes një numri të madh projektligjesh, në mesin e të cilëve edhe atë për Noterinë.
Pas kalimit të të gjitha fazave legjislative, Ligji i ri për Noterinë ka hyrë në fuqi në Janar të vitit 2019. Ndryshimet në të, kanë qenë ndryshime që mundësojnë qasje më të shpejtë, efikase dhe profesionale në shërbimet noteriale sa më afër vendbanimeve të qytetarëve.
Që nga marrja e detyrës kam pranuar pyetje parlamentare dhe kërkesa nga banorët e vendbanimeve të ndryshme anekënd Republikës së Kosovës, asociacionet profesionale dhe Kryetarët e disa Komunave për të decentralizuar shërbimet noteriale.
Kam qenë dhe jam krenar që përmes ligjit, formulën e mëhershme që kishte krijuar monopol, 1 noter në 20 mijë banorë, e kemi konvertuar në 1 noter në 10 mijë banorë. Pas miratimit të ligjit të ri, janë bërë përgatitjet për procesin e provimit e më pastaj të emërimit të një numri të noterëve për të plotësuar nevojat emergjente dhe gradualisht, për të përmbushur nevojat me rastet e vendeve vakante, pensionimit e lënies së detyrës së noterëve ekzistues.
Jam përkujdesur që në komisionin për provimin e Noterisë të zejnë vend personat më kredibil e profesional të kësaj fushe. Pyetjet e testit janë hartuar aty për aty në Qendrën për Siguri Publike dhe testi është mbajtur nën vëzhgimin e kamerave. Nga mekanizmat përkatës janë ndërmarrë masa për shmangien e konfliktit të interesit gjë që është vërtetuar nga organi kompetent Agjencia Kundër Korrupsionit.
Pas publikimit të listës së personave që kanë kaluar provimin e noterisë, shoqëria jonë është përballur me aludime të lloj-llojshme mbi këtë proces.
Ka pasur nga ata që kanë rënë nga provimi dhe kanë kundërshtuar të njëjtin në mënyrë subjektive. Ka pasur nga ata që kanë pasur bazë për ankim dhe të njëjtëve iu është dhënë mundësia për t’u ballafaquar me vlerësimin. Të gjitha këto procese janë tërësisht normale në kuadër të veprimtarisë institucionale.
Çarjen e parë të këtij procesi nga një proces institucional, në një proces të manipuluar politikisht për qëllime të mbrojtjes së monopolit të noterëve ekzistues që gjenerojnë miliona euro brenda muajit, e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje, të cilës kauzë i ka prirë ish Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, sot për sot, Ministrja e re e Drejtësisë.
Në kuadër të kësaj polemike politike, jashtë institucionale, akterët vendor e ndërkombëtarë të “mafisë së konsulencës” që Kosovës tonë ia kanë mësyrë si vend eksperimentimi, i’u kanë bashkangjitur kësaj kauze, duke premtuar se pas gjenerimit të projekteve të financuara nga ndërkombëtarët, do ta rishikonin ligjin dhe se procesi i emërimit të noterëve të rinj duhet t’i lihet qeverisë së re.
Kështu, sot kur qeveria e re është në fuqi, Ministrja e re e drejtësisë ka vendosur ta anulojë procesin e rekrutimit të noterëve. Kështu pra, përmes këtij anulimi të pabazë, në mënyrë të paprecedent duke mos i lënë ligjit të ri as edhe një rast të vetëm për zbatim, ka triumfuar përkohësisht logjika se ligji i ri duhet të ndryshohet. Kështu, ka dominuar mafia e konsulencës dhe monopoli i noterëve ekzistues.
Ministrja e Drejtësisë e ka pasur premtim elektoral anulimin e këtij provimi për çfarë nuk kam asnjë problem, por ky veprim sot për sot arbitrar, do prodhojë pasoja juridike e administrative sepse paraqet shkelje flagrante të të drejtave të fituara nga qytetarët e Republikës së Kosovës.
Prandaj, mbi këtë bazë, unë do ta mbroj këtë çështje në Gjykatë, në konflikt administrativ dhe do kërkoj njohjen e provimit të noterisë për të gjithë kandidatët që kanë kaluar provimin.
Njëkohësisht, ju bëj thirrje secilit kandidat që të shfrytëzojë të drejtën ligjore për të mbrojtur interesin e tyre juridik përballë kësaj padrejtësie.
Shihemi në Gjykatë!
LEXO EDHE:
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...