Abelard Tahiri e Albulena Haxhiu replikojnë për Marrëveshjen për Drejtësi

14:37 | 24 Tetor 2017
Arbresh.info

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka pranuar ftesën që të raportojë sot para Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në lidhje me Marrëveshjen për Drejtësinë të datës 10 shkurt 2015.

Ministri Tahiri para se të flas në këtë takim për marrëveshjen ka folur për dekretimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Dekretimi i gjyqtarëve është për në pajtim me KGJK, KPK dhe legjislacionin në fuqi. Ky dekretim është bërë në bazë të marrëveshjes për drejtësinë e datës 10 shkurt 2015”, ka thënë ai.

Tahiri ka thënë se zbatimi i kësaj marrëveshje është dashur të filloj me 17 tetor 2017.

“Zbatimi është shtyrë deri më sot 24 tetor pasi që ashtu ka vendosur presidenti. Kam mbajtur takime me akterë të ndryshëm për tu siguruar se çdo hap është ndërmarr si duhet për të filluar zbatimi i saj sot. Nga sot shtrirja e sovranitetit në terma teknik po ndodh në gjithë vendin. Nga sot qytetarët do të përballen me sistem të drejtësisë në gjithë vendin”, ka thënë ai.

Sipas tij marrëveshja e drejtësisë është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

“Si ministër i drejtësisë kam ofruar përkrahjen e plotë për mbështetje financiare teknike për implementimin e kësaj marrëveshje. Gjyqtarët që kanë hyrë janë me konkurs dhe s’kemi pasur asnjë listë nga ndonjë shtet tjetër. Ka qenë proces i organizuar mirë nga KGJK dhe KPK”, ka thënë ai.

Ministri Tahiri ka garantuar se nuk do të njihet asnjë aktgjykim që nuk është mbi bazën e ligjeve të Kosovës.

Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu ka thënë se sipas kësaj marrëveshje Kosova do të ketë brenda sy sisteme.

“Një sistem që iu garantin të gjithë qytetarëve qasje me të drejta të barabarta dhe një sistem tjetër vetëm i një etnie”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut nuk qëndron ajo që thotë Tahiri se do të njihen vetëm aktgjykimet me ligjet e Kosovës.

“Unë kam siguruar dokumente ku janë skandalozë dhe thuhet se duhet të njihen të gjitha aktgjykimet e gjykatave paralele. Në këto marrëveshje janë emrat e gjyqtarëve që Serbia ia ka deleguar Kosovës. Po ashtu teksti i betimit nuk është bërë sikurse tek gjyqtarët tjerë”, ka thënë ajo.

Ministri Tahiri ka replikuar kryetaren Haxhiu duke thënë se rekrutimi i gjyqtarëve ka shkuar sipas ligjeve në fuqi.

“Këta njerëz kanë kaluar nëpërmjet një procesi që e ka caktuar KGJK dhe KPK. Kush i shkarkon këta prokurorë dhe gjyqtarë nëse bëjnë shkelje është e rregulluar me ligjet e Kosovës. Nuk është mirë të dezinformohet opinioni sepse nuk ka kurrfarë marrëveshje tjetër ashtu siç thuani ju”, ka thënë Tahiri.

/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme