Abdixhiku zyrtarizon aderimin e radhës në LDK

12:47 | 26 Tetor 2022
A Z

Një prej emrave më të njohur të shoqërisë civile, Visar Azemi, i është bashkuar sot Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook.

Më tej ai ka treguar se ardhja e Visarit në LDK është vlerë, ku ka theksuar se me njerëz profesionistë si ai e ardhmja e LDK-së është e sigurtë.

Postimi i plotë:

Aktivisti shumëvjeçar i shoqërisë civile, Visar Azemi, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai i bashkohet ekipit tonë politik me një bagazh të jashtëzakonshëm vlerash e përvojash.

Visari është inxhinier i diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në fushën e Sistemeve Elektroenergjetike. Ai ka vazhduar më pas studimet postdiplomike në Univeristy of Maryland Global Campus, në drejtimin e Menaxhimit Ndërkombëtar Financiar. Visari shërbeu dhe si ligjerues në lëndët e Algjebras dhe Shkencave Kompjuterike për Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpër baza të ndryshme ushtarake në botë.

Përgjatë dhjetë viteve të shkuara, Visar Azemi shërbeu si aktivist i shoqërisë civile, me angazhim të gjerë në fushën e energjisë së ripërtëritshme, integrimin e tregut energjetik, ekonomisë qarkore dhe tranzicionit energjetik në gjithë Ballkanin Perëndimor. Së fundmi, ai shërbeu edhe si Drejtor Ekzekutiv i Balkan Green Foundation. Përgjatë kësaj kohe, ai ka qenë autor i një numri të madh studimesh e publikimesh mbi energjinë e qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.

Ardhja e Visarit në LDK për ne është vlerë. Ai bëhet pjesë e profesionistëve më të mirë të vendit që zgjedhin të lënë komfortin jetësor për angazhim vullnetar politik. Me profesionistë e njerëz të tillë, dhe të tjerë që do të na bashkohen në vijim, e ardhmja e LDK-së është e sigurt; e nga aty dhe e ardhmja e Republikës së Kosovës.

Visar, mirë se vjen./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme