Abdixhiku: Veprat e ish presidentit Rugova jetësore kanë definuar papërsëritshëm fatin e shqiptarëve

12:45 | 2 Dhjetor 2021
A. B.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kujtuar sot presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova.

Abdixhiku në 77 vjetorin e lindjes së Rugovës shkruan se veprat e tij jetësore kanë definuar papërsëritshëm fatin e shqiptarëve.

Kryetari i LDK-së shkruan se Rugova para se të ishte prijës shpirtëror e prijës politik, ishte një krijues, poet, kritik e mendimtar dhe se refuzimi estetik i tij ndaj diktaturës, totalitarizmit e shtypjes së kohës, ishte nisje e mendimit të lirë.

Lexoni të plotë postimin:

“Më 2 dhjetor të vitit 1944, lindi arkitekti i shtetit të Kosovës, prijësi historik i lëvizjes për lliri, pavarësi e demokraci, Presidenti i parë i vendit tonë, Dr. Ibrahim Rugova. Veprat e tij jetësore kanë definuar papërsëritshëm fatin e shqiptarëve në këto anë. Ato sot qëndrojnë si themele të forta e të palëkundura të lirisë sonë, të pavarësisë sonë, të Republikës sonë.

Ditëlindjet e tij të para ishin të vështira. I biri i Ukës të Rrustë Sadrisë dhe i Sofës së Qerim Rugovës, kishte babë e gjysh të vrarë e zhdukur nga shërbimet jugosllave. Por jeta e vështirë s’ishte arsye për ndalje; përkundrazi, ishte shtytje për një fat më të madh. Pasi përfundoj shkollimin fillor në Istog e atë të mesëm në Pejë, Rugova vijoj studimet në Prishtinë. Pas diplomimit mori titullin e Këshilltarit Shkencor në Institutin Albanogjik të Prishtinës. Në fundin e viteve të 70-ta, ai shkoi në Paris. Atje, nën mbikëqyrjen e Roland Barthes, ndoqi studimet mbi letërsinë në ‘École Pratique des Hautes Études’. Në vitin 1984, doktoroi në Prishtinë në tezën me temë “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare: 1504-1983”.

Rugova para se të ishte prijës shpirtëror e prijës politik, ishte një krijues, poet, kritik e mendimtar. Refuzimi estetik i tij ndaj diktaturës, totalitarizmit e shtypjes së kohës, ishte nisje e mendimit të lirë. Ky rrugëtim i tij prej krijuesi u ndërpre nga një thirrje e kohës për t’i prirë lëvizjes më të madhe historike të shqiptarëve në Kosovë. Në vitin 1988 Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Më 23 dhjetor 1989 ai krijoi dhe u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, lëvizjes popullore për liri, pavarësi e demokraci. Krijuesi letrar.

Pjesa tjetër është histori e lavdishme.

Rruga që Ibrahim Rugova nisi e trasoj, trashëgimia politike që la pas, mbesin dritë prijëse për secilin prej nesh në LDK. Këto vlera themeltare për organizmin tonë politik do t’i kultivojmë, ruajmë e promovojmë me plot përkushtim.

Sot, me bashkëpunëtorë vizituam familjen e Presidentit Rugova, zonjën Fana e trashëgimtarët e familjes. Shënuam 2 dhjetorin e tij sepse Presidenti ka vetëm ditëlindje. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme