Google ADS

Abdixhiku: Ushtria në koordinim me SHBA’në, e më pas me miqtë tjerë brenda NATO’s

23:51 | 10 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo parti, në seancën e 14 dhjetorit kur pritet të kalojnë në lexim të dytë ligjet që i japin FSK’së, mandatin e Forcës së Mbrojtjes, do sillet “siç është sjellë edhe në votimin në lexim të parë”.

“Çështja e mbrojtjes së Kosovës ka tejkaluar fuqinë tonë, dhe formimi i ushtrisë do të ishte i pamundur pa mbështetjen e SHBA’së”, ka thënë Abdixhiku në Interaktiv të KTV’së.

Kjo ka qenë përgjigja e tij indirekte ndaj zërave të anëtarëve të LDK’së se ushtria nuk është mirë të formohet pa përkrahjen e plotë të të gjithë miqve ndërkombëtar.

“Qëllimi kryesor i FSK-së është anëtarësimi në NATO dhe nuk kemi llogari të hapim fronte me një Aleancë që është mike dhe ka intervenuar këtu para 20 vitesh. Por formimi i ushtrisë duhet të bëhet në radhë të parë në partneritet me SHBA-në dhe më pas me miqtë tjerë brenda NATO’s”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se gjendja në terren nuk do të ndryshojë duke ditur se faza e transformimit të FSK-së në Ushtri do t’i marrë së paku 10 vite kohë.

“Nuk është se të premten e miratojmë Ushtrinë dhe të shtunën e zëvendësojmë me KFOR’in. Në gjendjen faktike nuk do të ndryshojë asgjë. Serbia po provon ta paraqesë këtë si faktor destabilizues në Ballkan, dhe problemin në veri ta paraqes si problem etnik, që është pjesë e propagandës serbe, dhe e cila në fakt diplomacinë kosovare e ka zënë në gjumë”, ka thënë Abdixhiku.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme