Abdixhiku: Të gatshëm për zgjedhje, kurdo që na vijnë ato

22:45 | 19 Shtator 2023
E.H

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur gjerë e gjatë për planin e partisë së tij për qeverisje.

Ndër të tjera, ai është shprehur se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, “pavarësisht se kur na vijnë”.

“Ai që është në pushtet, ai dërgon në zgjedhje. Do të doja të kishim një qeveri në parim që i përmbush obligimet që i ka, por nëse kemi paaftësi të përmbushjes së obligimeve dhe kemi abstenim nga roli që kanë marrë besimin qytetar, natyrisht që përfundojmë në zgjedhje. Po të kisha shumicë, nuk do të flisnim për zgjedhje, por do të isha duke bërë punë atje, duke implementuar ‘Rrugën e Re’. Pra, zgjedhjet mund të vijnë si pasojë e humbjes së shumicës së atyre që e kanë, e ne jemi të gatshëm pavarësisht se kur na vijnë, dhe me alternativë dhe me organizim të brendshëm partiak, dhe me qasje të qartë edhe faqebardhë tek qytetarët tanë”, deklaroi Abdixhiku në klankosova.

Ai tha se “Rruga e Re” është bindje, vlerë dhe koncept.

“Është koncept sepse ne nuk duam ta kthejmë Kosovën siç ka qenë para 14 shkurtit, pra nuk duam ta bëjmë politikën që të kthehemi siç kemi qenë, e hiç e hiç siç jemi tani, dhe kushdo që e ndjen këtë bindje, unë e shtrij dorën e bashkëpunimit politik dhe jashta politik. Një Vetëvendosje të këtillë që bën këso gjëra sot është e pamundur ta imagjinosh që të thotë ‘po ndërrojmë radikalisht’. Kanë investuar shumë dhe janë bërë peng i këtij investimi”, potencoi Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së tha se kryeministri Albin Kurti, me konferencën për media ku foli për zgjedhjet dhe për “zhdukjen” e opozitës, tha se ajo konferencë është “për të shpëtuar vetveten, e jo Kosovën”.

“Konferenca për shtyp është për të shpëtuar një individ, vetveten, jo për shpëtuar Kosovën”, tha Abdixhiku.

Ai tha se LDK-ja nuk e sheh qeverisjen me LVV-në, por këtë të fundit e sheh në opozitë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme