Abdixhiku: Rruga “Jim Xhema” po bëhet

20:55 | 11 Tetor 2023
E.G

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se rruga “Jim Xhema” po bëhet në kohë e me intensitet të plotë.

Abdixhiku së bashku me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka inspektuar punimet në rrugën A, shkruan Arbresh.info.

Sipas tij, ky është projekti më i madh kapital që po zhvillohet aktualisht në kryeqytet.

“Rruga “Jim Xhema” po bëhet! Në kohë e me intensitet të plotë. Sot, me Përparimin, i bëmë vizitë ekipeve punuese në projektin më të madh kapital që po zhvillohet aktualisht në kryeqytet. E njohur si Rruga A, me 6 korsi, me kolektorë e infrastrukturë moderne përcjellëse, ajo nisi të jetësohet në maj të këtij viti. Me tempon aktuale të punëve – në të dy skajet e rrugës – ajo do të përfundojë qysh para verës së ardhshme”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Tutje, kreu i LDK-së tha se punimet tashmë kanë nisur edhe në lagjen Kalabria, me synim të shpejtë për lidhjen e dy anëve në një projekt të ri të madh kapital në Veternik.

“Një lagje e re në bërje, një komuniteti i ri në krijim. Prishtina po ecë në rrugë e ritëm të jashtëzakonshëm! Falënderuam punëtorët për angazhim; falënderuam në veçanti Krenarin, Drejtorin e Infrastrukturës për gjithë angazhimin infrastrukturor në Prishtinë.”, tha ai.

I pari i LDK-së tha se është koha të flitet dhe punohet për projekte konkrete “si zëvendësim i ngarkesës me të shkuarën, e zymtësi polarizuese sot.”.

“Kosova meriton më mirë! Kosova, sikurse Prishtina, mundet më shumë!”, përfundoi kreu opozitar./Arbresh.info./

 

Të ngjashme