Abdixhiku: Ndalja e pagave për mësimdhënësit është shantazh jo demokratik, akt i shëmtuar politik

21:45 | 31 Gusht 2022
E.H

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Ministrisë së Financave për të mos i ekzekutuar pagat e plota të mësimdhënësve.

Ai përmes rrjetit social Facebook, ka thënë se arsimtarët pagën e kanë burimin e vetëm të mbijetesës.

“Gjëja e fundit që familjet e mësimdhënësve e zyrtarëve publik kanë nevojë sot, është ndalesa e pagave të tyre – burimit të vetëm të mbijetesës. Në inflacion rekord, në krizë të paprecedentë terri veror, në investime kapitale minimale – ky shantazh jodemokratik është akt i shëmtuar politik”, ka shkruar Abdixhiku.

I pari i LDK-së ka kërkuar dialog mes Qeverisë dhe sindikatave për këto qështje.

“E ftoj Qeverinë për dialog në vend të arrogancës. Mësimdhënësit e zyrtarët shtetëror janë njerëzit tanë. Familjet e tyre janë qytetarë tanë. Politika bëhet për ta. Shpërputhja e pushtetit me kërkesa qytetare – në këtë masë – nuk do të durojë gjatë”, ka shkruar tutje Abdixhiku.

Kujtojmë se sot Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka bërë të ditur se ekzekutimi i pagave në sektorin publik, është bërë pjesërisht për muajin gusht.

Sipas tij, kjo ndodhë për shkak të vonesave në procesimin e listave të grevistëve./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme