Abdixhiku: Mungesën e Presidentit Rugova e ndjejmë edhe sot në secilën përballje e përpjekje të shtetit tonë

11:52 | 21 Janar 2023
K.B

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë bënë homazhe dhe nderuan jetën dhe veprën e Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në 17 vjetorin e ndarjes nga jeta.

Me këtë rast, kryetari Abdixhiku tha:

“Sot, në përvjetorin e 17-të të ndarjes nga jeta, kujtuam atin themeltar të shtetit të Kosovës, prijësin identitar të popullit të Kosovës, Presidentin historik të Republikës, Dr. Ibrahim Rugova. Si udhëheqës i formacionit pavarësist e demokratik, si prijës i lëvizjes më të madhe nacionale të shqiptarëve të Kosovës, si themeltar e kryetar i Lidhjes Demokratike, ai udhëhoqi me popullin e Kosovës në përpjekjen kombëtare për liri, pavarësi e demokraci.

Ndarja e tij në acarin e 21 janarit të vitit 2006, ishte dhimbje kombëtare, gjersa humbja e tij ishte mungesë e pazëvendësueshme për popullin e Kosovës. Këtë mungesë e ndjejmë edhe sot në secilën përballje e përpjekje të shtetit tonë.

I lindur më 2 dhjetor të vitit 1944, i biri i Ukës të Rrustë Sadrisë dhe i Sofës së Qerim Rugovës, kishte babë e gjysh të vrarë e zhdukur nga shërbimet jugosllave. Por jeta e vështirë s’ishte arsye për ndalje; përkundrazi, ishte shtytje për një fat më të madh. Pasi përfundoi shkollimin fillor në Istog e atë të mesëm në Pejë, Rugova vijoi studimet në Prishtinë. Pas diplomimit mori titullin e Këshilltarit Shkencor në Institutin Albanogjik të Prishtinës. Në fundin e viteve të 70-ta, ai shkoi në Paris. Atje, nën mbikëqyrjen e Roland Barthes, ndoqi studimet mbi letërsinë në “École Pratique des Hautes Études”. Në vitin 1984, doktoroi në Prishtinë në tezën me temë “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare: 1504-1983″.

Rugova para se të ishte prijës shpirtëror e prijës politik, ishte një krijues, poet, kritik e mendimtar. Refuzimi estetik i tij ndaj diktaturës, totalitarizmit e shtypjes së kohës, ishte nisje e mendimit të lirë. Ky rrugëtim i tij prej krijuesi u ndërpre nga një thirrje e kohës për t’i prirë lëvizjes më të madhe historike të shqiptarëve në Kosovë. Në vitin 1988 Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Më 23 dhjetor 1989 ai krijoi dhe u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të nisur kështu ndërtimin e epokës më të lavdishme të historisë së Kosovës.

Programi dhe vizioni i tij politik për një Kosovë të pavarur e sovrane, e barabartë mes popujve të familjes euroatlantike, me miqësi të përhershme me ShBA-të u bë shpejtë platformë nacionale e shqiptarëve të Kosovës. Kjo platformë vazhdon të mbetet udhërrëfim për ne dhe sot. Rugova udhëhoqi me përpjekjen tonë për liri, udhëhoqi me përpjekjen tonë për demokraci, dhe udhëhoqi me përpjekjen tonë për pavarësi. Si i tillë, ai mbetet figura më e madhe historike e gjithë popullit së Kosovës. Identifikimi me të, dje, sot dhe nesër, paraqet vlerë; e këtë vlerë ne do ta mbrojmë dhe kultivojmë me përkushtim, me dije dhe me admirimin më të madh.

I përjetshëm kujtimi për Presidentin Ibrahim Rugova!” /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme