Abdixhiku: Liria erdh siç e kishim besuar të gjithë

11:58 | 10 Qershor 2024
E.G

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe perëndimi”, në vigjilje të 25 vjetorit të çlirimit duke kujtuar angazhimit e presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Kryetari i LDK-së Lumir Abixhiku ka theksuar se reflektimin euroatlantik Kosova po e përjeton edhe tash, 25 vjet pas çlirimit.

“25 vite më parë ne gjetëm lirinë. Ajo na erdh si triumf prej testamenti i përpjekjes së gjeneratave të tëra; erdh si dritë e fundme e paqësorëve të 90-tave, besimi i të cilëve s‘reshturi së pushuari kurrë; erdh si altar përjetësie ku pushojnë djemtë e vajzat çlirimtare të Kosovës; erdhi si fitore e angazhimit monumental euroatlantik, që në qiellin sipër nesh na shfaqej nëpërmjet fluturakeve të NATO-s”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, liria erdhi nëpërmjet zërave të largët, “që aso kohe na u bënë të afërt dhe në gjithë tmerrin e luftës e pafuqisë, ishin mes nesh për të na thënë se nuk ishim vet dhe sdo të mbeteshim vet”.

“Na vinin nëpërmjet zërave të Bill Clinton, Tony Blair, Javier Solana, Wesley Clark, Madeline Albright, Jamie Shea, Joshka Fisher, Massimo D’Alema, e përplot liderë e akterë tjerë botëror, që në orët më të rënda tona u gjind krah nesh. Prandaj jemi mirënjohës përherë. Prandaj u jemi falënderues gjithherë! Liria erdh siç e kishim besuar të gjithë”, ka thënë ai.

Pjesë e kësaj konference janë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ish-kryeministri i Italisë Massimo D’Alema, ambasadori i ShBA-së në Kosovë Jeffrey Hovernier e shumë personalitete tjera./rtk/

Të ngjashme