Google ADS

Abdixhiku: LDK është e përkushtuar në ndërtimin e frymës unifikuese për mbështetje të shqiptarëve në Luginë e më gjerë

22:16 | 12 Tetor 2022
E.H

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga nënkryetari Lutfi Haziri, sot ka pritur në takim liderët institucional dhe të partive politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe unifikimit të qëndrimeve për realizimin e të drejtave të shqiptarëve etnik të kësaj ane.

Në takimin e organizuar nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të pranishëm ishin: kryetari i PVD-së, njëherësh deputet në Parlamentin e Serbisë  Shaip Kamberi, kryetari i PD-së, Nagip Arifi, kryetari i APN-së, njëherësh kryetar i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, kryetari i LPD-së, Shqiprim Musliu, kryetari i KKSH-së, Ragmi Mustafi, kryetari i AFEDS-it, Muharrem Salihu, kryetari i VATRA-s, Kushtrim Kadriu dhe kryetari i LR-PDSH-së, njëherësh Kryetar i Kuvendit Komunal në Preshevë, Sami Salihu, thuhet në komunikatën për media.

Gjatë këtij takimi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se koordinimi i vazhdueshëm me partitë politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë është detyrë që duhet ta përmbushim të gjithë.

“LDK është e përkushtuar në ndërtimin e frymës unifikuese për mbështetje të shqiptarëve etnik në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, për realizimin e të drejtave të tyre”, tha kryetari Abdixhiku.

Kësisoj, kryetari Abdixhiku, e nënvizoi si tepër të rëndësishëm edhe procesin e regjistrimit të popullsisë që po zhvillohet në Serbi, me ç’rast ftoj të gjithë shqiptarët e asaj ane kudo që ndodhen t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes për regjistrim.

“Të gjithë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit, Medvegjës e më gjerë, duhet t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes për regjistrim të popullsisë në Serbi, ngase pasqyrimi i saktë dhe i drejtë i numrit të shqiptarëve etnik në këto anë është i domosdoshëm. Rezultati i këtij procesi ka ndikim të drejtpërdrejtë në avancimin e të drejtave kolektive e kombëtare. Po ashtu ka ndikim edhe në fushën e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës dhe zhvillimit të përgjithshëm të asaj zone shqiptare”, theksoi kryetari Abdixhiku.

Ndër të tjera, kryetari Abdixhiku, theksoi se LDK angazhohet fuqishëm për të drejtat civile dhe politike të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë e më gjerë, me theks të veçantë për njohjen e shtetësisë së tyre si banorë në Republikën e Kosovës./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme