Google ADS

Abdixhiku kritikon Programin e Qeverisë Kurti

11:54 | 17 Maj 2021
V. S.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar sot Programin e Qeverisë Kurti, duke thënë se është një dokument sipërfaqësor, pa masa dhe pa zgjidhje se si do të adresohen problemet.

Abdixhiku, njëherësh kryetar i LDK-së, më tej tha se kanë pritur 60 ditë për një dokument 60 faqesh të Qeverisë, për një dokument që nuk ka as argumente e as ide.

“Të presësh 60 ditë e të marrësh një dokument 60 faqesh si përfundim, veç fillon të kesh dyshim mbi aftësinë e dikujt që të gjitha problemet ekonomike, politike, arsimore, shëndetësore, të rendit e ligjit, të sigurisë e integrimit, të dialogut e punësimit, të korrupsionit e nepotizmit, të kapjes e pandemisë – do t’i përfshijë në 60 faqe platformë.

Dyshimin disi e kapërcen sepse faqet megjithatë s’e bëjnë përmbajtjen. Përmbajtjen e përbëjnë argumentet e idetë e fjalës. Sa të fuqishme, sa konkrete e sa kreative janë ato. Por, ky dokument 60 faqesh i përgatitur për 60 ditë, nuk ka as argument e as ide të fjalës.

Për befasinë time e tonën, është një ndër dokumentet më sipërfaqësore e më jopërmbajtësore që kam lexuar ndonjëherë – e që mban titullin e Programit Qeverisës për 4 vjet”, tha ai.

Sipas tij, deklaratat “do të bëjë politika të mira” nuk janë masa por vetëm parulla.

“Nuk e keni të qartë se çfarë do të bëni tash që jeni në pushtet”, u shpreh Abdixhiku, kryetar i LDK-së, duke përsëritur se programi i Qeverisë Kurti është i thatë.

“Është një dokument që s’përmban ndonjë masë, ndonjë matje e ndonjë numër. S’përmban as kohë se kur do të nisë e kur do të përfundojë një politikë qeveritare për katër vjet planifikim. S’thotë gjë, askund – përjashto ndonjë politikë dytësore aty – këtu se çfarë problemi do të adresojë, çfarë rezultati do të japë, kush do ta implementojë, sa do të kushtojë, e si do ta bëjë atë. Këtë pret secili nga një Program Qeverisës. Çfarë do të bëhet për katër vjet e si do të duket vendi ynë i përbashkët katër vjet nga sot?!”, u shpreh Abdixhiku./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme