Abdixhiku: Institucionet të angazhohen që ankthi i familjarëve të pagjeturve të marrë fund

12:51 | 27 Prill 2021
arbresh.info

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar 27 Prillin – Ditën e të Pagjeturve dhe 22 vjetorin e masakrës së Mejes.

“Pranvera e vitit 1999 ishte më e rënda në historinë e Kosovës. Ishte viti, kur Serbia filloi përpjekjet e fundit për ta zhbërë Kosovën dhe popullin e saj. Ajo kreu krime të tmerrshme kundër njerëzimit, masakroi qindra e mijëra shqiptarë, dogji shtëpi e shkolla dhe dëboi shumë shqiptarë nga vendi i tyre”, citohet Abdixhiku në një komunikatë për medie të LDK-së.

Ai ka kujtuar edhe masakrën e Mejes ku u vranë e masakruan 376 civilë shqiptarë.

“Masakra e Mejes, 22 vjet më parë ishte ditë e dhimbjes, por edhe ditë e kthesës historike, ditë e cila e mobilizoi botën e civilizuar demokratike për t’u bërë pjesë e përpjekjeve të mëdha të popullit të Kosovës për liri. Sot, e 22 vjet shumë familjarëve nuk u përfundoj ankthi i pritjes për ndonjë lajm për më të dashurit e tyre e që ende nuk dinë se ku prehen”, thuhet aty.

Sipas Abdixhikut, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen që ankthi i tyre të marrë fund, që sadopak t’iu zbutet dhimbja.

Çështja e të pagjeturve mbetet ende plagë e hapur jo vetëm për familjarët, por për gjithë shoqërinë dhe shtetin tonë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme