Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndjen keqardhje për arsyen e largimit të Ramush Haradinajt nga pushteti, megjithatë thekson se qeveria e themeluar nga koalicioni PAN është dashur të rrëzohej.
Gjatë një bisede për Gazetën Express, Abdixhiku shprehet se vendit i duhet një qeveri e re duke shtuar se “LDK është e gatshme që të marr përsipër fatin e Kosovës”.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Presidenti i vendit të shpall datën e zgjedhjeve të reja. Lideri i partisë, Isa Mustafa mblodhi mbrëmë kryesinë e LDK-së për të vendosur se çfarë do të bëhet tutje pasi Kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje. Shumë njerëz brenda LDK-së, pajtohen se Qeveria “Haradinaj” është dashur të rrëzohej, megjithatë konsiderojnë se arsyeja e dorëheqjes së Ramush Haradinajt është për keqardhje.
Sipas Lumir Abdixhikut, secili udhëheqës shtetëror që përballet me drejtësinë, duhet ta distancojë vetën nga përfaqësimi i Republikës.
“Natyrisht se ndjej keqardhje për arsyet e largimit të Kryeministrit Haradinaj. Është arsye që rëndon mbi gjithë Kosovën, jo vetëm mbi të. Përballja me drejtësinë, megjithatë, është e paalternativë dhe për këtë vendimi i tij është i paalternativë. Pra s’ka se si të përfundojë ndryshe. Secili udhëheqës shtetëror që përballet me drejtësinë, duhet ta distancojë vetën nga përfaqësimi i Republikës”, tha Abdixhiku të shtunën për Gazetën Express.
Me tëj Abdixhiku përmend arsyet se pse është dashur të bie qeveria e themeluar nga koalicioni i gjerë PAN.
“Gjithsesi, rënia e Qeverisë PAN, pavarësisht arsyeve, mbetet domosdoshmëri e kohës…Qeveria në rënie ka dëshmuar përgjatë dy viteve të shkuara se nuk di, nuk do dhe nuk mund t’i ofrojë qytetarëve tanë përfaqësim minimalisht dinjitoz. Skandalet financiare, kapja institucionale, papërgjegjësia shteterore e përfaqësimi skandaloz jashtë, kanë karakterizuar qeverinë PAN në çdo hap e vendim të saj”, thotë ai.
Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se vendit i duhet një qeveri e re, një qeveri e pastër, një qeveri që para interesave partiake i vë ato të Kosovës e të qytetarëve të saj.
Ai tha se LDK është e gatshme për zgjedhje të reja dhe e gatshme ta marrë përsipër fatin e Kosovës.
“LDK është e gatshme për zgjedhje të reja. Mbi të gjitha LDK është e gatshme që të marr përsipër fatin e Kosovës dhe me këtë t’i ofrojë vendit perspektive evropiane, mirëqenie ekonomike, shëndetësi, arsim e shtet të së drejtës”, përfundoi ai.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR.
Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.
Kohëve të fundit, lideri i AAK’së prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Ëashingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.
Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.
Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.
Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.
Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.
Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.
Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.
Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.
Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.
Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale./Gazeta Express
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...
Ftohtë dhe reshje borë, parashikimi i motit për pesë ditët e...