Abdixhiku: Asnjëherë s’mund të harrojmë punën e madhe që NATO bëri për Kosovën

11:21 | 12 Qershor 2021
L G

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përkujton dhe falënderon të gjithë ata që dhanë kontribut deri në pavarësinë e Kosovës, në 22 vjetorin e përfundimit të bombardimeve të NATO-s.

“Sot, Kosova shënon Ditën e Çlirimit. Njëzet e dy vjet më parë, NATO-ja me fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, shënoi fillimin e fundit të luftës së kahmotshme në Kosovë. Asnjëherë s’mund të harrojmë punën e madhe që NATO me të gjitha kontigjentet e saj ka bërë në Kosovë edhe në kohën e intervenimit 78 ditë dhe netë që i dhanë fund gjenocidit e masakrave ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe mundësuan kthimin e qindra mijëra refugjatëve në shtëpitë e tyre”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, aleanca ushtarake më e fuqishme në botë, u vu në mbrojtje të vlerave të paqes dhe demokracisë, shkruan arbresh.info.

Sot, ne shprehim mirënjohjen e thellë për Aleancën Veriatlantike dhe bashkësinë ndërkombëtare që u vunë në mbrojtje të luftës së drejtë të popullit tonë për Liri, Pavarësi e Demokraci.

“U jemi thellësisht mirënjohës të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë që edhe sot vazhdojnë ta ndihmojnë forcimin e demokracisë së vendit tonë. Sot, ne kujtojmë Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova, Familjen Jashari dhe të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe secilin qytetar të Kosovës, që dhanë jetën e tyre që gjeneratat tona ta gëzojnë lirinë”, ka thënë Abdixhiku./arbresh.info/

Të ngjashme