Abbott: S’e inkurajoj Kosovën që ta vendosë ambasadën në Jerusalem, duhet të mendohej më shumë

23:24 | 24 Shtator 2020
Arbresh.info

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se Kosova do të duhej të mendonte më shumë para se të vendoste që ta hapë ambasadën e saj në Jerusalem të Izraelit.

“Për shkak të negociatave që janë ende duke vazhduar, mendoj se këshilla jonë do të ishte që të mendohej më shumë. Unë nuk do ta kisha inkurajuar Kosovën që ta vendosë ambasadën

në Jerusalem ende, ky nuk është pozicioni ynë ndaj kësaj çështje”, ka thënë Abbott.

“Në fund të ditës njohja nga Izraeli është një gjë e mirë, është mirë që Izraeli ishte i gatshëm të bënte një gjë të tillë, është një mundësi e mirë për Kosovën që të ndërtojë marrëdhënie me një pjesë tjetër të botës dhe siç e kemi parë me festimet e javës së kaluar, mendoj se kjo është shumë e rëndësishme për komunitetin hebre në Kosovë, dhe kjo është një vlerë e shtuar”, njofton Klan Kosova.

Ai është shprehur se për Mbretërinë e Bashkuar statusi i Jerusalemit varet nga negociatat mes Izraelit dhe autoriteteve palestineze të cilat janë duke u zhvilluar qe një kohë.

“E kuptojmë që këto gjëra marrin kohë. Pritjet tona janë që për statusin e Jerusalemit duhet të pajtohen të dyja palët dhe do të prisnim që të bëhet kryeqytet për të dyja palët. Aktualisht, ambasada britaneze është e vendosur në Tel Aviv dhe nuk kemi në plan ta lëvizim”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme