Abazoviq: Do të komunikoj me Kurtin për ndërtimin e tunelit për lidhjen e Rozhajës me Pejën

22:43 | 10 Maj 2022
L G

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i ka përmendur tri nga projektet infrastrukturore të cilat ka premtuar që do t’i realizojë gjatë mandatit të tij.

“Tri gjëra do t’i theksoj të cilat mendoj që duhet të jenë si ndryshim i infrastrukturës dhe lidhjes ndërmjet shteteve të rajonit. Një është ura Buna për të cilën i kemi ndarë mjetet edhe me buxhet dhe kemi një marrëveshje mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe qeverisë së Malit të Zi që të realizojmë urën”.

“Velipojën duhet ta lidhim me Ulqinin dhe ajo ka me qenë një atraksion për turistët. Bëhet fjalë për një urë që nuk është më e madhe se 190 metra. Tash në këtë moment, prej Ulqinin me shku në Velipojë është 70 km. Na duhet vetëm një urë prej 190 metrash për ta lidhur që me qenë aksesi mes dy qyteteve vetëm 10 minuta”.

Abazoviq në Klan Kosova ka thënë që modernizim e rrugës që lidhë Plavën me Deçanin e sheh si projekt të rëndësishëm strategjik.

“Projekti i dytë është modernizimi i rrugës mes Plavës dhe Deçanit. Edhe atë e shoh shumë strategjik, një pjesë është e punuar dhe është bërë projekti i cili mendoj që nuk është shumë i komplikuar. Një gjë që ka me pasë lidhje mes Malit të Zi dhe Kosovës dhe ka me jap një kontribut jo vetëm për turizëm, por ka me qenë një dritare edhe për bizneset. Ka me jap një komunikim shumë të mirë”.

Ai tha se do të bisedojë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për ndërtimin e tunelit për lidhjen e Rozhajës me Pejën.

“Një projekt shumë më i komplikuar, por që mendoj që është shumë i rëndësishëm është të bëhet tuneli mes Rozhajës dhe Pejës. Është një ide që ekziston që shumë vite, por askush nuk është nisur që ta realizojë, nuk di a ka pasë vullnet politik mu realizu. Me kryeministrin Kurti do të komunikoj në këtë drejtim dhe jam mëse i sigurt që institucionet financiare evropiane e kishin financu këtë projekt, ose një përqindje që të mos i bjerë barra as Kosovës dhe as Malit të Zi. Do të ishte fantastike që njerëzit të shkojnë në një tunel dhe t’i shkurtohet rruga”.

Abazoviq tha se mendon që këto do të mund të hapin një perspektivë të re dhe t’i thyejnë paragjykimet dhe të krijojnë bashkëpunim në popull.

Të ngjashme