Zyrtarë dhe deputetë të LVV-së dhe LDK-së po i vazhdojnë debatet dhe përlasjet në rrjetet sociale, pas dështimit të arritjes së koalicionit qeverisës mes liderëve të këtyre dy partive politike në takimin maratonik të së shtunës.
Debati i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, i është bashkangjitur debateve në rrjete sociale lidhur me dështimin e së shtunës për arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës LVV-LDK.
Abazi, përmes një postimi në Facebook, i është kundërpërgjigjur deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se “LDK-në s’mund ta kushtëzojnë askush që mos ta propozojë Presidentin”.
Deputeti i LVV-së ka thënë se “LDK-ja e Dr. Isa Mustafës doli e dyta, i humbi zgjedhjet, po kërkon çka nuk i takon, çka nuk ia dha populli e që duke shkuar e vetme ne zgjedhje kërkoi të matet në mejdanin e votës”.
Postimi i plotë i Abazit:
“Edhe Presidentin edhe Kryeparlamentarin i ka pasur LDK-ja e Dr. Ibrahim Rugovës, kur Dr. Nexhat Daci ishte Kryeparlamentar, dhe dilnin të parët në zgjedhje. LDK-ja e Dr. Isa Mustafës doli e dyta, i humbi zgjedhjet, po kërkon çka nuk i takon, çka nuk ia dha populli e që duke shkuar e vetme ne zgjedhje kërkoi të matet në mejdanin e votës. Tani krejt çka kërkohet është respektimi i vendimit të sovranit për të përkrahur LVV në formimin e institucioneve për ndryshimin e madh”., ka shkruar Abazi.
Edhe bashkëpariakja e Abazit, deputetja Arbërie Nagavci, ka thënë sot se me LDK-në mund të falsin dhe për presidentin, “madje jemi të interesuar të punojmë seriozisht në gjetjen e një kandidati ose kandidateje të denjë, konsensuale e që paraqet unitetin e popullit, ashtu si e kërkon kushtetuta… Me mirëkuptim, me seriozitet e dashuri për vendit, ndryshe duhet të kthehemi dhe një herë tek sovran”.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdojnë takimet për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, por edhe pas disa takimeve të liderëve të dy subjekteve politike nuk është arritur marrëveshja.
Takimi i së shtunës mes liderit të LVV, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, pritej të rezultojë me një marrëveshje koalicioni qeverisës, por doli se këto dy subjekte politike nuk po mund të pajtohen rreth ndarjes së kulaçit të pushtetit.
Çështja për të cilën duket se assesi s’po gjejnë kompromis është posti i Presidentit të vendit, të cilin LDK po e kërkon me ngulm.
Sylvinho përzgjedh formacionin anti-Çeki
Shtohen masat e sigurisë në ndeshjen Shqipëri – Çeki
Driloni kujton këngët e fëmijërisë, Gresa i këndon
Arrestimi i të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it, Elshani: Nuk...
Reagon, Amir Rrahmani: Ne jemi Kosova
Alarm në Paris/ Pronari i restorantit mban peng punëtorët e ...