Google ADS

AAK reagon ndaj deklaratave të Aleksandër Vulinit

16:45 | 15 Maj 2017
Arbresh.info

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i është përgjigjur Aleksandër Vulinit për deklaratën se Ramush Haradinaj do të zvarritet para ushtrisë serbe. Partia e Haradinajt ia ka kujtuar ministrit për Punë e çështje të luftës gjenocidin serb në Kosovë.
“Serbia e përfaqësuar me njerëz si Vulini, replikën e fundit e ka marrë në vitin 1999 nga Ramush Haradinaj dhe Kosova, dhe do mbetet e tillë derisa Kosova është e fortë të qëndrojë në këmbët e saj. Sa për edukimin tuaj, duam t’ua rikujtojmë se gjenocidi serb në Kosovë ka këtë bilanc: rreth 20 mijë të vrarë e masakruar, 5 mijë të zhdukur, 20 mijë femra të dhunuara, 800 mijë civilë të dëbuar. 250 mijë objekte të rrënuara, asnjë përgjegjësi, asnjë kërkimfalje”, thuhet në reagim të AAK-së.

AAK thotë se serbët do të jenë përherë humbësit më të mëdhenj teksa vazhdojnë të ushqejnë retorikën e ish-udhëheqësit serb Millosheviq.

“Përderisa vazhdoni të ushqeni retorikën gjenocidale të Millosheviqit, duke fyer rëndë viktimat e pafajshme civile të luftës së fundit të Kosovës, ju do të vazhdoni të jeni humbësit më të mëdhenj – ashtu siç humbët në vitin 1999 përballë UÇK-së e NATO-s. Serbia nuk është gati për paqe, sepse ju nuk jeni gati për të vërtetën. Rruga e Kosovës është e pakthyeshme!” – thuhet në reagimin e AAK-së ndaj akuzave, kërcënimeve e trillimeve të zyrtarit serb.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme