Google ADS

AAK – Qeverisë: Mos i fajësoni qytetarët për dështimin tuaj në menaxhim të pandemisë

17:26 | 2 Shtator 2021
L G

Koordinatorja e Aleancës së Gruas së Kosovës, Diellza Kukaj, është deklaruar pas tendencave që faji për përhapjen në masë të virusit SARS-COV2, t’iu ngarkohet qytetarëve.

Kukaj ka përkujtuar qeverinë në një shkrim në Facebook se skadimi i mbi 133 mijë vaksinave, është bërë për mungesë të termineve.

“SKADOJNË dhe hiqen nga përdorimi 133,234 vaksina TË DHURUARA, NË MUNGESË TË TERMINEVE për marrjen e tyre! Ky do duhej të ishte kryetitulli ditëve të fundit, e jo të fajësohen qytetarët për menaxhim të dobët të pandemisë. Në anën tjetër kryetitulli do duhej të shërbente si mesazh vetëdijësues për pushtetin aktual, të ndërmerr hapa konkret drejtë menaxhimit të tmerrit që e ka kapluar Kosovën, ose të paktën të kërkojë ndihmë (kjo e fundit do të ishte akoma më njerëzore)! “, ka shkruar Kukaj.

Kukaj ka vlerësuar se e ashtuquajtura “mungesë e vetëdijes qytetare” është defekt i keqmenaxhimit të situatës me pandeminë.

“Fundja mos-bindja apo e ashtuquajtura ”mungesë e vetëdijes qytetare” është defekt i keq-menaxhimit të situatës me pandeminë. ”Të pavetëdijshmëve” duhet treguar rrugën e drejtë, duke promovuar më shumë argumentet shkencore për efektin mbrojtës që ka VAKSINA.”, ka shkruar Kukaj.

“Në kohën kur të gjithë i kemi sytë nga pushteti se cila është zgjidhja që po na ofrohet, si kundërvlerë na drejtohet gishti për jetët e familjarëve që po shuhen çdo ditë. Druaj të shoh njoftimet e fundit nga frika se cilat janë viktimat e radhës. Jeta e njeriut nuk është lojë!” ka përfunduar koordinatorja e Aleancës së Gruas.

Ndryshe, vetëm 291 mijë qytetarë të Kosovës janë imunizuar me dy dozat e vaksinës, shifër që e vendos Kosovën të fundit në rajon, në proporcion me numrin e popullsisë. Gjatë ditës së sotme u raportua rënie e rasteve aktive, por numri i vdekjeve me Covid19, mbetet ende shqetësim i madh. Vetëm ditën e sotme u raportuan 32 qytetarë që kanë ndërruar jetë pas infektimit me Covid19./arbresh.info/

Të ngjashme