Rikthimin e përplasjeve ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht kryetarit të saj dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kjo e fundit po e sheh si përpjekje për të shmangur të vërtetën rreth mungesës së votave për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit.
Nga kabineti i kryeministrit Haradinaj, por edhe nga tabori i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, janë ngritur kritika në adresë të LDK-së për ndryshimin e tekstit të marrëveshjes së arritur ndërmjet partive të koalicionit qeverisës dhe LDK-së. Fjala është për përfshirjen në pako me projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit, edhe raportin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, i cili ngre dyshime të shumta rreth saktësisë së Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani tha gjatë një konference për medie se Qeveria do të duhej të falënderonte LDK-në, e cila si parti opozitare i ka dhënë mbështetje Projektligjit të propozuar nga Qeveria e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit.
“Ne nuk kemi propozuar tekst tjetër. Po ai tekst, pra, teksti identik, ka kaluar në Komision për Politikë të Jashtme. Ne nuk besojmë se aty ka pasur ndryshime thelbësore. Qasja e AAK-së, në këtë rast, ka qenë tërësisht e papranueshme, sepse siç duket, kanë probleme brenda partnerëve të koalicionit dhe po tentojnë që ta zhvendosin vëmendjen diku tjetër, në raport me LDK-në”, tha Osmani.
Megjithatë, koalicioni qeverisës, pavarësisht mbështetjes së LDK-së për ratifikimin e Demarkacionit, nuk ka arritur që tash për tash, ta bindë edhe Listën Serbe për votimin e kësaj marrëveshjeje, pavarësisht se ajo është pjesë e Qeverisë Haradinaj.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi ka thënë se ka disa paqartësi rreth pikave që do të përmbajë pakoja e Projektligjit për ratifikimin e Demarkacionit, por sipas tij, në bashkëbisedime me LDK-në kjo çështje mund të rregullohet.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj beson se mungesa e konsensusit për Demarkacionin, duhet të jetë një zhvillim shqetësues për të gjithë. Sipas tij, nuk ka nevojë që të humbet më kohë me deklarata, por duhet të veprohet shpejt me votim dhe ratifikim të Marrëveshjes.
“Ne mendojmë që ajo çfarë do të duhej të thuhej për ratifikimin e Marrëveshjes, e cila do të duhej ta përmbyllte shënjimin e vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, në këto dy apo tri vitet e fundit është thënë. I dimë argumentet, i dimë faktet, i dimë perceptimet, i dimë opinionet, i dimë dallimet, i dimë qëndrimet e këtij komisioni dhe të atij komisioni dhe nuk ka nevojë më që Kosova të humbë kohë. Nuk ka nevojë me që të dëgjojmë narracione, të cilat i kemi dëgjuar edhe në këto tre javët e fundit”, theksoi Hoxha.
Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës, në momentin e formimit, pati marrë 61 vota në Kuvend. Ndërkaq, në mungesë të përkrahjes nga Lista Serbe, ky koalicion mëton se i ka 50 deri në 51 vota për ratifikimin e Demarkacionit. Duke ia shtuar këtij numri edhe 27 votat e LDK-së, Marrëveshja, besohet se e ka mbështetjen e 77 apo 78 deputetëve, çka është e pamjaftueshme për ratifikim, ngase nevojiten 80 vota për kalimin e saj.
Në rrethana të tilla, në spektrin politik në Kosovë po besohet se nga java e ardhshme do të mund të rifillojnë bisedimet me Listën Serbe, votat e të cilës mbeten jetike për kalimin e Demarkacionit.
Ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, mbetet kusht i domosdoshëm për Kosovën për përfshirjen e saj në agjendën evropiane të liberalizimit të vizave.
Astrit Selmani gjen sërish golin dhe vazhdon me formë të lar...
Në prag të protestës së 26 nëntorit, Berisha: Nesër do të kr...
Ciolacu prin në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, sipas s...
Kurti pret nesër në takim kryetarin e Kuvendit të RMV-së, Af...
Nesër nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pje...
U ofendua nga Edi dhe Driloni, përkeqësohet gjendja shëndetë...