Google ADS

AAK: Kosova më së keqi në rajon në mesataren e pagave, rrezikojmë ikje masive të punëtorëve

14:57 | 25 Maj 2023
A. B.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë Kosova me urgjencë do të duhej që t’i rrisë pagat për ta evituar ikjen masive të fuqisë punëtore për në shtetet perëndimore.

Tahiri përmes një shkrimi në “Facebook”, ka treguar gjitha vendet e rajonit tanimë kanë filluar diskutimet për rritjen e pagës mesatare, përpos Kosovës. Ai ka ripërsëritur edhe njëherë propozimin e AAK-së që të shqyrtohet rritja e koeficientit në paga në 129 euro në administratë publike dhe të merren masa të shpejta për pagën minimale.

Shkrimi i tij i plotë në “Facebook” pa ndërhyrje:

Rajoni, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nisur të marrin masa të shpejta, për t’u përballur me zhvillimet që po prodhohen nga ikja e punëtorëve. Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, po diskutohet për rritjen e pagës mesatare në 900 euro deri në prillin e vitit 2024.

· Lëvizje të ngjashme kanë marrë edhe vendet tjera të rajonit. Në krahasim me vitin 2015, kur Kosova kishte pagën mesatare 444 euro, Maqedonia e Veriut – 504 euro, Serbia – 537 euro, Mali i Zi – 726 euro dhe Shqipëria 259 euro;

· Aktualisht, paga mesatare në rajon është: Kosova 504 euro, apo rritje prej 60 euro; Maqedonia e Veriut, 705 euro apo rritje prej 201 euro; Serbia – 763 euro, apo 226 euro, Mali i Zi – 792 euro apo 66 euro dhe Shqipëria – 900 euro, apo 641 euro.

Përderisa këta numra tregojnë për rritjen e pagës mesatare në rajon, Qeveria e Kosovës dhe Ministri Murati, përveç koeficientit të përcaktuar 105 euro, nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

Me urgjencë duhet të shqyrtohet rritja e koeficientit në 129 euro në administratë publike siç kemi propozuar ne si AAK dhe të merren masa të shpejta për pagën minimale sipas amandamentit tonë që e kemi propozuar në Komisionin për Buxhet.

Në rast se ne presim, e që liberalizimi po ndodhë në një periudhë kur vendet evropiane, në veçanti Gjermania, ka rritur kontingjentin nga Ballkani Perëndimor, rrezikojmë që vitet pasuese të jenë goditje e rëndë për ekonominë tonë, në veçanti për punëtorët.

Veproni mos fleni se shkuam poshtë! /Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme