Google ADS

AAK e gatshme për zgjedhje, Kadrijaj: Kjo qeveri sa më shpejtë të shkojë në shtëpi

13:58 | 22 Maj 2024
R J

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar mbështetjen e partive politike parlamentare për një mocion për shpërndarjen e parlamentit të Kosovës, si një rrugë që të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Mocioni mund të ngritet nëse ka nënshkrimet e 40 deputetëve, ndërsa për të kaluar nevojiten 80 vota në parlamentin me 120 vendesh. Nëse vendoset për shpërndarjen e parlamentit, presidentja duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme, që duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së tyre.

Përveç PDK-së, dhe AAK është shprehur e gatshme për zgjedhje të parakohshme.

Sa i përket kësaj çështje, ka folur deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj.

Kadrijaj kritikoi ashpër performancën e qeverisë, duke thënë se duhet të dorëhiqet për t’u liruar hapësira dhe mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Kemi qenë pikërisht ne Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për shkak të kësaj keq qeverisjes, për një performancë të keqe të kësaj qeverie, kemi kërkuar që kjo qeveri të dorëhiqet, kemi kërkuar që sa më shpejt që kjo qeveri të dorëhiqet dhe të shkojë në shtëpi, të jetë më mirë për vendin, të lirohet hapësira dhe mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, mirëpo tash kjo forma se si po kërkojnë, ne nuk e përkrahim, sepse nëse ka dështim, ka dështim të qeverisë, dhe jo të parlamentit, pse Zoti Kurti nuk dorëhiqet, pse Zoti Kurti nuk jep dorëheqje që të liroj rrugën për zgjedhje të parakohshme”, tha Kadrijaj.

Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, deputetja e AAK-së tha se ata janë çdoherë të gatshëm për zgjedhje.

“Aleanca është aktive, jemi në teren, jemi parti e strukturuar mirë, i kemi pesë komuna që udhëheqin me pesë kryetarë që e kanë performancën më të mirë të mundshme, pa as një aferë korruptive, performanca e këtyre kryetarëve vjen nga organizata kredibile që nuk janë as qeveritar, as opozitar, po që e monitorojnë punën e kryetarëve të komunave, dhe ne çdoherë jemi të gatshëm për zgjedhje” tha deputetja.

Deputetja tha se për shkak të punës së mirë të aleancës, çdo ditë, qytetarët po i bashkohen aleancës.

“Ne kemi bo koalicion parazgjedhor me Nismën Social-demokratike, jemi me një parti konservatore, jemi dhe me një grup intelektualësh, çdo qytetarë po bashkohen çdo ditë radhazi sepse po besojnë në vizionin e aleancës, dhe në punën që ka krye lideri Haradinaj”, shtoi ajo.

Sa i përket ndonjë koalicionit të mundshëm mes VV-së dhe PDK-së, ajo shtoi se asnjë parti politike nuk ka ‘vijë të kuqe’ për koalicione të mundshme me parti tjera.

“Mesa kam lexuar, asnjë parti politike nuk ka qit vija të kuqe për koalicione të mundshme me parti të tjera, megjithatë secila parti punon individualisht dhe ka të drejtën të zgjedhë partnerët e koalicionit pas zgjedhjeve, partia që fiton më së shumti zgjedhje, ka të drejtë më fitu koalicion me partitë tjera, ose edhe në rastin tjetër të mundshëm, nëse partitë tjera më të vogla munden me formu qeverinë, ekziston dhe moduli i dytë i formimit të qeverisë nga partitë që nuk e kanë fituar shumicën”, përfundoi ajo.

Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u mbajtën për herë të fundit më 14 shkurt 2021.
Në atë kohë, qytetarët u ftuan të votonin për një parlament të ri pasi qeveria e atëhershme u rrëzua në një mosbesim të shprehur nga Kuvendi i Kosovës. Pas këtyre zgjedhjeve, u formua një qeveri e re e drejtuar nga Albin Kurti, lider i Vetëvendosjes./Arbresh.info/Rita Jakupi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme