A u shkel Rezoluta 1244 me kidnapimin e policëve të Kosovës?

09:55 | 17 Qershor 2023
K.B

Me kidnapimin e tre policëve të Kosovës të mërkurën në Bare të Leposaviqit nga njësitet speciale serbe, Serbia mund të ketë bërë një gabim fatal.

Kjo pasi që me hyrjen e forcave policore të tyre, ata mund të kenë shkelur Rezolutën 1244, rezolutë e cila ishte qenësore për tërheqjen e forcave jugosllave apo serbe nga Kosova në vitin 1999.

Këtë e ka shtruar si çështje ish-zëdhënësi i NATO-s, Vincenzo Grasso, i cili ka deklaruar se me kidnapimin e policëve të Kosovës nga xhandarmëria serbe, Serbia ka shkelur Rezolutën 1244.

Sipas tij, nëse vërtetohet se arrestimi ka ndodhur në Kosovë, Serbia e ka shkelur Marrëveshjen Teknike Ushtarake dhe Rezolutën 1244.

“Nëse konfirmohet se “arrestimi” ka ndodhur në Kosovë, është shkelje e qartë e Marrëveshjes Teknike Ushtarake dhe Rezolutës 1244, prandaj KFOR-i duhet të hetojë”, ka thënë Grasso.

Ai ngriti dyshimet e tij edhe në kohen e ndodhjes së kidnapimit, e cila u bë paralelisht me takimin e KFOR-it me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Gjithsesi, a është rastësi që ka ndodhur derisa në Beograd, Vuçiq po takohej me KFOR-in? Dyshoj!”, ka përfunduar ai.
Rezoluta e famshme, e cila ende është në fuqi, ishte krijuar në vitin 1999, si dokument i cili i parapriu tërheqjes së plotë të forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova

Marrëveshja Ushtarako-Teknike, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Kumanovës, u nënshkrua më 9 qershor të vitit 1999.

Kjo edhe shënoi kapitullimin e ish-Jugosllavisë të udhëhequr nga “kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq.

Por çfarë thotë Rezoluta 1244?

Rezoluta mbi të cilën funksionin misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka paraparë qartësisht largimin apo tërheqjen e trupave serbe nga Kosova, të cilat do zëvendësoheshin nga trupat ndërkombëtarë të sigurisë, siç është edhe vetë KFOR-i.

Por në pikën 4 të kësaj rezolute, thuhet se pas tërheqjes, mund t’i lejohet një pjese të forcave serbe kthimi në Kosovë.

“4. Vërteton se pas tërheqjes do t’i lejohet kthimi një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav dhe serb në Kosovë për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2”.

Aneksi 2 i rezolutës shpjegon qartë se kur këto forca mund të kthehen në Kosovë.

“Pas tërheqjes, një numri të caktuar të personelit serb dhe jugosllav do t’i lejohet kthimi në Kosovë për t’i kryer funksionet e mëposhtme:

– Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë;

– Shënjimi/pastrimi i fushave të minuara;

– Mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe;

– Mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”, thotë Aneksi i dytë i kësaj rezolute.

E në kidnapimin e policëve në brendi të territorit të Kosovës, forcat serbe as nuk kanë qenë duke pastruar mina, as duke mbrojtur objektet e trashëgimisë serbe e as nuk kanë qenë në koordinim me KFOR-in.

Përkundrazi, ata hynë në Kosovë dhe kidnapuan policët në rrugët që shërbenin për kontrabandim të mallrave nga Serbia për në Kosovë, duke mos respektuar asnjërën nga këto pika që i parasheh Rezoluta 1244.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka deklaruar për Arbresh.info se përkundër pikave që parasheh Aneksi 2, sipas rezolutës, forcat serbe nuk mund të vendosen në Kosovë assesi.

Kjo për arsye se vendimi për vendosjen e tyre duhet marrë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, gjë që sips tij është e pamundur për shkak të vetos.

“Aty është e specifikume që nëse ka një marrëveshje, forcat serbe mund të dislokohen në Kosovë, ama kjo duhet me shku përmes KFOR-it, mandej është një vendim politik përmes Këshillit të Sigurimit, dhe ne e dimë që aty votimi kurrë s’mund të realizohet i plotë për shkak të së drejtës së vetos që është aty në Këshill, pra është vetoja amerikane, angleze, franceze etj. Andaj, dislokimi i forcave serbe në Kosovë përmes rezolutës 1244 është i pamundur, për shkak se ky është një vendim politik”, tha Arifi për Arbresh.info

Ai theksoi se kjo rezolutë është shkelur nga Serbia me kidnapimin e policëve dhe nuk pret masa të rrepta nga ndërkombëtarët ndaj shtetit serb lidhur me këtë shkelje ‘gjigante’ të Serbisë.

“Po është e vërtetë që Rezoluta 1244 për fat të keq është ende në fuqi, po tash me siguri do të ndërmerren masa dhe do të ketë takime bilaterale në mes të KFOR-it dhe Serbisë dhe besoj se nuk do të ketë ndonjë masë të rreptë, por me siguri do të kërkohet që policët të lirohen menjëherë dhe do t’u tërhiqet vërejtja që këto veprime të mos ndodhin dhe të mos përsëriten sepse ai ka qenë veprim provokativ i cili pastaj mund të jetë justifikim për një konflikt të armatosur mes vijës kufitare, pra me policët e Kosovës apo edhe me ushtarët e KFOR-it. Prandaj edhe ajo vijë nuk guxon të shkelet, për shkak të rrezikshmërisë së sigurisë”, deklaroi Arifi për Arbresh.info.

Sipas Arifit, kidnapimi i policëve ka pasur si synim provokimin e situatës dhe përshkallëzimit të saj deri në një konflikt të armatosur.

Ndërsa mungesën e ashpërsisë në reagimet e KFOR-it, ai e sheh si indikacion që Perëndimi po e injoron kryeministrin Albin Kurti.

“Krejt operacioni i kidnapimit të policëve të Kosovës është bërë me qëllim të provokimit të situatës drejt një konflikti, sepse Serbia thjesht nuk dëshiron me e zbatu marrëveshjen, as të Brukselit, as të Ohrit e as ato të vjetrat. Mirëpo, injorimi i KFOR-it apo reagimi shumë i vonshëm dhe i butë dhe mungesa e reagimit të diplomacisë, pra të ShBA-së dhe BE-së, është një shenjë që bashkësia ndërkombëtare po e injoron Qeverinë Kurti, rrjedhimisht edhe Republikën e Kosovës, për shkak të mosmarrëveshjeve që i patën”, përfundoi Arifi për Arbresh.info.

Edhe për analistin politik, Fidan Ukaj, me kidnapimin e policëve të Kosovës, është shkelur Rezoluta 1244.

“Nëse vërtetohet se policët e Kosovës janë kidnapuar brenda territorit të Kosovës është shkel rezoluta 1244 pasi që sipas kësaj rezolute NATO është përgjegjëse për sigurinë në kufi të Kosovës”, tha ai për Arbresh.info.

Ukaj theksoi se bashkësia ndërkombëtare e ka toleruar jashtëzakonisht shumë Serbinë, edhe pse gjitha sjelljet destabilizuese serbe janë të faktuara me çdo veprim të tyre, duke përmendur kështu ‘defilimin’ e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën dhe mbështetja dhe financimi i strukturave kriminale paralele serbe në veri të Kosovës.

“Ftohja e raporteve me bashkësinë ndërkombëtare nga ana e Qeverisë së Kosovës ka ndikuar që bashkësia ndërkombëtare të jetë pasive në reagimet e saj dhe një gjë e tillë nuk është lajm i mirë për Kosovën dhe institucionet e saj”, deklaroi Ukaj për Arbresh.info.
Njësitet speciale serbe të mërkurën kanë kidnapuar tre policë të Kosovës në fshatin Bare të Leposaviqit, teksa këtë akt me përmasa kriminale krerët e shteit në Kosovë e kanë dënuar ashpër duke e cilësuar si tendencë të Serbisë për ta destabilizuar Kosovën.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kërkuan edhe reagim të ashpër nga ndërkombëtarët lidhur me këtë agresion të treguar nga ana e Serbisë.
Teksa kryeministri Kurti, në një konferencë për medie të enjten ka deklaruar se kidnapimi i tre policëve të Kosovës u bë në shenjë hakmarrje për kriminelin serb të arrestuar në veri për sulmet ndaj KFOR-it, Millun Milenkoviq – Llune.

Ai përgënjeshtroi presidentin serb i cili të mërkurën tha se ata janë arrestuar brenda territorit të Serbisë, në një fshat afër Rashkës.
Kurti tregoi një fotografi në të cilën shihet se kidnapimi i tyre ka ndodhur 1.6 kilometra në brendi të territorit të Kosovës, teksa kritikoi edhe KFOR-in për mungesë të reagimit.

“Ka qenë edhe KFOR-i dhe janë gjetur gjurmët e çizmeve në drejtim të Serbisë dhe janë gjetur prangat e plastikës. Si është e mundur që janë arrestuar në Serbi kur prangat janë në këtë vend. Është e çuditshme që ende nuk del zyrtarisht me ndonjë reagim KFOR-i, pse KFOR-i ende nuk del me shpjegim zyrtar për këtë gjë. Edhe automjeti edhe ushqimi që kanë ngrënë policët është brenda territorit të Kosovës”, tha Kurti për medie më 15 qershor.

Sipas tij, heshtja e ndërkombëtarëve nuk i kontribuon deeskalimit të situatës.

“Të gjitha këto i ka edhe KFOR-i, ne me partnerët i ndajmë informatat mirëpo heshtja e tyre nuk i kontribuon as deeskalimit, as hetimit e as drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, as të nesërmen të mos kemi kurrfarë deklarate zyrtare. Muind të ketë shkelje të rezolutës, por është komandanti i KFOR-it që gjithmonë e përmend këtë rezolutë. Pyetja duhet të i bëhet atij sepse e ka shpeshtuar përmendjen e kësaj deklarate”, tha Kurti.
Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencë deklaroi se Policia e Kosovës me të ndodhur ky kidnapim, është mobilizuar dhe ka rritur praninë në atë pjesë të vendit, pra, në zonat e thella kufitare me Serbinë.

Ai ritheksoi vazhdimisht se Serbia me këtë akt e dëshmoi se është një shtet kriminal dhe agresor, i cili synon destabilizimin e Kosovës dhe rajonit përmes hakmarrjes ndaj arrestimit të një krimineli serb siç është “Llune”, i cili u arrestua të martën e 13 qershorit, ku të mërkurën, atij iu caktua një muaj paraburgim.

Nga KFOR-i, për këtë akt me tendenca kriminale, kanë deklaruar të mërkurën se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar mbi atë çka ka ndodhur atë ditë.

“KFOR nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e sotme sa i përket tre policëve të Kosovës dhe në fakt është në kontakt me autoritetet serbe për të pranuar informacion zyrtar lidhur me atë që ndodhi”, u tha në njoftimin e KFOR-it.

Ndërsa nga Bashkimi Evropian, kanë thënë se po e trajtojnë si “çështje urgjente” situatën e krijuar në Kosovë dhe janë në kontakt me Prishtinën, Beogradin dhe me përfaqësuesit e KFOR-it, për të verifikuar ngjarjet në vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, kur janë arrestuar tre zyrtarë policorë kosovarë nga forcat serbe.

“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Zëdhënësi i BE-së i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve.

“Ne përsërisim thirrjen e BE-së për shtensionimin e menjëhershëm dhe vendimtar të situatës”, tha Stano.
Nga Shqipëria, kryeministri Edi Rama, përkundër se është në krye të një shteti vëllazëror me Kosovën, ka hezituar të merr qëndrim lidhur me këtë çështje të mërkurën në mbrëmje.

Rama në Twitter ka shkruar se nuk mund të del me asnjë reagim zyrtar pa folur mbi këtë çështje KFOR-i dhe shtetet perëndimore.

Të njëjtën gjë s’e ka bërë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili mëngjesin e së enjtes e dënoi këtë kidnapim të policëve nga autoritetet serbe dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre.

Nga opozita në Kosovë, përpos kërkimit që ata të lirohen, kanë pasur kritika edhe ndaj Qeverisë për menaxhimin e situatës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se kjo ka ardhur si pasojë e mos koordinimit të kryeministrit Kurti me aleatët ndërkombëtarë.

Më e ashpër ishte AAK-ja, me kryetarin e saj, Ramush Haradinaj, i cili pretendoi se mos “Albin Kurti është spiun i Serbisë”?.

Ç’është më e rëndësishmja, Serbia vazhdon të ushtrojë agresionin e saj në forma të ndryshme, teksa njëkohësisht vazhdon edhe “përkëdhelja” e ndërkombëtarëve ndaj tyre.

Edhe sa do të vazhdojë kjo, mbetet të shihet. Ndoshta, kur të arrihet qëllimi i Perëndimit për t’i shkëputur serbët nga “kthetrat” ruse, gjë që vështirë se duket në horizont./Arbresh.info/Emir Abduramani

Të ngjashme