Google ADS

A u hoqën nga programi qeverisës Ushtria dhe Trepça si kusht i Listës Serbe?

17:26 | 13 Shtator 2017
Arbresh.info

Dy çështjet me rëndësi të madhe për Kosovën, ajo për Ushtrinë dhe pronësia mbi Trepçën, nuk janë larguar nga programi qeverisës i kryeministrit të ri të vendit Ramush Haradinajt. Të paktën kështu thonë në Zyrën e Kryeministrit, ndonëse për këto dy tema, zyrtarë të Serbisë deklaruan se u hoqën nga programi si kusht i vendosur nga Lista Srpska. Kjo e fundit e votoi Haradinajn që të jetë kryeministër i Kosovës.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq ka deklaruar se Lista Srpska është obliguar se do të luftojë kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës. Ai ka thënë se Lista Srpska në Qeverinë e Kosovës ka hyrë që të ketë disa koncesione dhe “nuk është e rastësishme që nga qëllimet programore të kabinetit Haradinaj është hequr çështja e formimit të Ushtrisë si dhe pronësia e Trepçës”.

Por, këtë e hedhin poshtë nga zyra e Kryeministrit Haradinaj.

Arbër Vllahiu, në cilësinë e zëdhënësit të AAK-së, e ka quajtur të pavërtetë lajmin se për Ushtrinë dhe Trepçën është negociuar me deputetët serbë.

“Nuk është e vërtetë”, ka qenë i shkurtër në përgjigjen e tij Arbër Vllahiu. Ndonëse për këto çështje, Gjuriq kishte deklaruar se këto tema, si Ushtria dhe Trepça, tashmë as që po përmenden nga kryeministri i ri.

“Haradinaj në këtë moment nuk po e përmend shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri”, ka thënë Gjuriq.

Sidoqoftë, në ditën kur u votua për Qeverinë Haradinaj, deputetët e Listës Srpska vizituan Beogradin në mënyrë që të konsultoheshin me këta të fundit, nëse e kanë ose jo “bekimin” për ta votuar Haradinajn që të jetë mandatar i kreut të Ekzekutivit.

Dhe, siç dihet, seanca për Haradinaj u vonua deri atëkohë kur Lista Serbe arriti në ambientin e Kuvendit për ta dhënë votën e saj.

Ramush Haradinaj mori besimin e 61 deputetëve për të qenë Kryeministër i Kosovës me 21 ministra, nga të cilët tre janë nga Lista Srpska.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme